Pas dorëheqjes së tre kandidatëve për kryetar të PD në Vlorë, në garë kanë mbetur dy kandidatë, Moisi Meminaj dhe Valbona Mezini. Kjo e fundit, është gazetare e TVSH, me origjinë nga Vlora, e cila mbështetet nga zëdhënësja e Bashës, ish-kolegia e saj, Esmeralda Mula. Duke pasur mbështetjen e Bashës, i cili nuk ia prish dot kollaj zëdhënëses, ajo ka shanse të jetë kandidaturë në Vlorë. Por Vlora nuk është aq e lehtë për t’u vënë në rresht prej Bashës e Berishës, dhe jo më prej zëdhënëseve të tyre. Pjesa e kandidimit apo bindjeve nuk ka asgjë të keqe, por një problem që bëhet sikur nuk vihet re këto ditë është fakti që zonjusha Mezini është një rrogëtare e shtetit dhe punon në një institucion që duhet të jetë i paanshëm për publikun. Nuk kuptohet se si ajo arrin të bëj apo dhe jap lajmet në rolin e spikeres ndërsa bën fushatë për një parti politike.
Kjo vërteton edhe një herë faktin se televizioni publik për të cilin na mbahen me detyrim jo pak lekë kur paguajmë faturat e energjisë, vazhdon avazin e 8 viteve të fundit me militantë dhe propagandë. Kjo shpjegon dhe arsyen pse gazetarët e TVSH derdhnin lot kur Berisha dha dorëheqjen nga PD. Kjo tregon dhe pse disa prej drejtuesve janë zhdukur për të kërkuar azil në shtete të ndryshme. Nuk duam të tregohemi kritik kot, po ca gjera duhen thënë, se na kthehet në modë pastaj… Kjo ishte ana ligjore se për anën morale për zgjedhjet që bën PD brenda vetes është histori tjetër. Se si mund të zgjedhësh në Vlorë një njeri që jeton në Tiranë vetëm Basha me shpikjet e tij hollandeze mund ta shpjegojë.
Burimi | Gazeta Dita