Shqipëria rezulton një nga shtetet e fundit në Europë për sa i takon vaksinimit, duke avancuar shumë pak në aplikimin e dozave të vaksinës për popullsinë. Sipas të dhënave të “The Our World in Data”, ku gjurmohen ecuria e vaksinimit në shumë vende të botës, në Shqipëri deri në datën 14 shkurt, ishin administruar 0.04 doza vaksinash për 100 banorë.
Mesatarja e Europës deri në datën 16 shkurt ishte 5.91 doza për 100 banorë, me rekordin që e mban Mbretëria e Bashkuar me 23.75 doza.
Në rajonin tonë rekordin e mban Serbia, e cila madje rezulton e dyta në Europë pas Mbretërisë së Bashkuar. Deri në 18 shkurt Serbia kishte administruar 18.36 doza për 100 banorë, duke ia kaluar madje edhe SHBA-së.
Ndërkohë Italia ka administruar 5.06 doza për 100 banorë, Greqia 5.52, Kroacia 2.94. Bullgaria 1.17. Për ecurinë e vendeve të tjera të rajonit ende nuk ka të dhëna.
Si arriti Serbia para të gjithëve për vaksinimin?
Një artikull i BBC pak ditë më parë shpjegonte si Serbia ia kishte dalë të arrinte gati në krye të Europës sa i përket fushatës së vaksinimit.
“Kryeministrja e arsimuar në SHBA e Serbisë ishte udhëheqësja e parë europiane që mori vaksinën Pfizer-BioNTech. Ndërkohë ministri rusofil i punëve të Brendshme të vendit asministroi dozën e Sputnik V. Dhe ministri i Shëndetësisë u shfaq duke bërë injeksionin me vaksinën kineze Sinopharm. Këto dalje publike ishin një mënyrë për të qetësuar një popullatë skeptike serbe për sigurinë e vaksinimeve. Por ata gjithashtu ilustruan një qasje të gjithëanshme ndaj sigurimit të tyre, që e ka vendosur Serbinë në krye të garës për të vaksinuar njerëzit në Evropë”
Kryeministrja serbe Brnabic tha:
“Pavarësisht se nga vijnë vaksinat, Kina, SHBA ose BE – ne nuk na intereson për sa kohë që ato janë të sigurta dhe ne i marrim ato sa më shpejt të jetë e mundur. Për ne, vaksinimi nuk është një çështje gjeopolitike. Është një çështje e kujdesit shëndetësor.”
Një qasje e tillë mesa duket dhënë frytet e veta. Vendet e tjera në Ballkanin Perëndimor (përfshirë edhe Shqipërinë) kanë hasur vështirësi në sigurimin e vaksinave, duke i varur shpresat e tyre tek BE ose në skemën ndërkombëtare Covax. Në të kundërt, Serbia duket se synon të vaksinojë të paktën 1/10 e popullsisë së saj brenda shkurtit.
Vendi është gjithashtu përpara të gjitha 27 vendeve anëtare të BE-së, duke kryer vaksinime me dyfishin e shpejtësisë së Gjermanisë, Spanjës dhe Italisë dhe katër herë më shpejt se Holanda. Ndërsa Brnabic këmbëngulë se në këtë proces nuk ka vend për gjeopolitikë, marrëdhëniet e mira të Beogradit me Pekinin dhe Moskën, padyshim kanë ndihmuar në sjelljen e sasive të vaksinave për të cilat vendet e BE mund të kenë vetëm zili.
“Ne nuk jemi një anëtar i BE, dhe me gjithë solidaritetin që ka në BE, jemi të detyruar të jemi të fundit që të marrim vaksinat nga BE. Kjo është e keqja e të mos qenurit një anëtar i BE, dhe fokusi strategjik i tim qeveria mbetet pranimi në BE “.- është shprehur kryeministrja serbe.
Mesa duket në këtë moment krize, mosbesimi te Brukseli për furnizimin me vaksina ka qenë një përfitim për Serbinë.
Në botë kryeson Izraeli.
Në gjithë botën pak më shumë se 172 milion njerëz kanë marrë dozën e parë të vaksinës Covid-19 deri më tani ose 2.2 për çdo 100 njerëz. 8 vaksina janë aktualisht në përdorim në të gjithë botën, të gjitha këto kërkojnë nga dy doza. Në botë kryeson për vaksinimin Izraeli (78 doza për 100 banorë), e ndjekur nga Emiratet e Bashkuara Arabe (rreth 52 doza), dhe të tretët renditen Mbretëria e Bashkuar, të ndjekur nga Serbia, që renditet e katërta në botë.
Në Izrael, të dhënat tregojnë se vaksinimi po jep efekt. Një studim i fundit atje doli në përfundimim se rastet me Covid-19 dhe shtrimet në spital ranë në mënyrë të shpejtë mes njerëzve që u vaksinuan. Të dhënat e hershme sugjerojnë që vaksinat po funksionojnë pothuajse po aq mirë në praktikë sa në provat klinike.
Shqipëria, vaksinim për 14 muaj.
Kryeministri Rama deklaroi dje se brenda 14 muajsh do të kryhet i gjithë procesi i vaksinimit në vend. Do të kryhen 300 deri në 500 vaksinime në ditë sipas kreut të qeverisë. Presim nga dita në ditë konfirmimin për marrëveshjen e 360 mijë dozave të AstraZenenca.
Më herët, qeveria njoftoi se ka arritur një marrëveshje për 500 mijë doza me Pfizer, megjithatë pjesa më e madhe e tyre do të mbërrijnë në vjeshtë-dimër.
Ndërkohë në Shqipëri pandemia e koronavirusit e ka rritur ndjeshëm vdekshmërinë në vend. Të dhënat zyrtare të Gjendjes Civile kanë bërë të ditur se në 2020-n kanë humbur jetën rreth 28 mijë persona, ose rreth 6 mijë persona më shumë (+27%) se mesatarja e 2015-2019.
Situata ka qenë më e rënduar në nëntor dhe dhjetor, ku fatalitetet janë dyfishuar, duke shënuar rritje rekord në Europë. Tendenca rritëse ka vijuar dhe në janar, me rreth 600 jetë të humbura më shumë, me rritje 31% nga janari i 2020, ndërsa vlerësohet se situata ka ardhur drejt përkeqësimit në shkurt, pas përhapjes së valës së re të pandemisë.