Niveli i mbrojtjes që krijon vaksina e zhvilluar bashkërisht nga firmat Pfizer dhe Biotech është 95%. Sipas të dhënave të reja të publikuara nga faza e tretë e testimit tek njerëzit rezulton se kjo vaksinë krijon nivel edhe më të lartë mbrojtës nga ç’ishte deklaruar javën e kaluar, kur u publikua lajmi se këto firma kishin arritur të zhvillonin të parën vaksinë që krijon mbrojtje të lartë deri 90% ndaj koronavirusit.
Mes më shumë se 41 mijë vullnetarëve që morën pjesë në testim, dy dozat e nevojshme të vaksinës nuk shkaktuan efekte anësore serioze tek shumica dërrmuese e tyre. Vetëm 5% e tyre patën dhimbje koke dhe lodhje pas injektimit.
Të njëjtin nivel efektshmërie shfaqi edhe vaksina e firmës tjetër amerikane Moderna, që përfundoi këtë javë provat e fazës së tretë dhe vendimtare tek njerëzit, duke u bërë vaksina e dytë që pritet të hidhet në prodhim pas marrjes brenda këtyre ditëve të certifikatës nga Administrata për Ushqimet dhe Ilaçet në Shtetet e Bashkuara. Të dyja vaksinat përdorin metodën inovative të ARN-së për të vënë në alarm sistemin imunitar kundër infektimit nga Covid-19.
Edhe vaksina kineze e firmës SinoVac jep të dhëna premtuese, pavarësisht se ndodhet një fazë më pas kompanive amerikane. E para që ka kaluar fazën e tretë është një vaksinë ruse, por që nuk ka marrë miratimin e OBSH-së.