Prindërit përpiqen dhe sakrifikojnë gjithçka që fëmijët e tyre të rriten të lumtur dhe të kenë një të ardhme sa më të bukur. E tillë ishte dhe historia e nënë Filxhanes që u trajtua mbrëmjen e sotme në programin “Dua të të bëj të lumtur”, e cila prej vitesh luftonte që t’i rikthente shikimin vajzës së saj, Egzonës.
Në studio kishte ardhur Adelina, kushërira e Egzonës e cila rrëfeu se Filxhonia kishte ëndërruar gjithmonë të kishte një vajzë dhe se ardhja e vogëlushes në jetë kishte gëzuar pa masë të gjithë familjen. Por fatkeqësisht kur Egzona ishte 2-muajshe Filxhonia kishte kuptuar se vajza nuk e ndiqte me sy dhe se nuk e përqendronte shikimin në asnjë vend. E bindur se diçka nuk shkonte ajo e kishte vizituar Egzonën dhe pas disa vizitave mjekët i kishin thënë se vajza ishte e verbër dhe se duhej të operohej sa më shpejt.
Një ditë para operacionit mjekët kishin zbuluar se Egzona kishte probleme me zemrën dhe për këtë arsye nuk e kishin marrë përsipër ndërhyrjen në sy. Operacioni i zemrës ishte i kushteshëm dhe një ndërhyrje e tillë nuk kryhej në Shqipëri. Pas 3-vitesh me ndihmën e një organizate humanitare vajza i ishte nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në zemër në Itali dhe tani mund ta përballonte një ndërhyrje tjetër në sy.
Adelina kishte zgjedhur programin “Dua të të bëj të lumtur” për t’i dhënë këtë mesazh Filxhones: “Ti duhet të bëhesh e fortë, nuk duhet të qash më, duhet të shohësh përpara, gjithçka do të shkojë mirë dhe Egzona do të shërohet”. Filxhonia u shpreh se kjo ishte brenga e saj dhe se do të luftojë që Egzona të arrijë ta shohë botën me sytë e saj dhe jo nëpërmjet rrëfimeve të familjarëve.
Programi “Dua të të bëj të lumtur” zbuloi se doktorr Amarildo Belshi në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, do të merrte përsipër operacionin e Egzonës, për t’i kthyer asaj shikimin.