Duket sikur ato të dyja i sjellin mbarësi njëra-tjetrës. Vera Grabocka është regjisorja e Miss-it të parë të organizuar në Shqipëri. Ndërsa Valbona Selimllari, fituesja e atij edicioni të Miss Albania-s.
Megjithatë marrëdhënia mes tyre nuk ndaloi në vitin 1991. Atëherë vetëm sa nisi. Vera do të shihte te Valbona përtej bukurisë së jashtme dhe të shohësh përtej bukurisë verbuese të Bobit, kërkon vërtet një shikim të mprehtë, por ky Verës nuk i mungon. Ndërsa e bukura e Shqipërisë atëherë, tani e gjithmonë, do të kishte mundësinë të rritej duke punuar pranë Verës, duke u bërë asistentregjisorja e disa prej spektakleve të Grabockës.
Nuk i kanë ndërprerë kurrë marrëdhëniet, edhe pse jo gjithmonë ky bashkëpunim ka qenë i dukshëm si është gjatë këtyre edicioneve të Dance with me, kur Valbona Selimllari ka një vend në jurinë e spektaklit të Vera Grabockës.
Ato kanë ndarë shumë më tepër muaj pune në përgatitjen e spektakleve që kanë bërë bujë kur janë realizuar dhe që kanë lënë gjurmë në historinë e televizionit shqiptar, sesa mund t’i kujtohet spektatorit. Valbona ka qenë një ndihmë e madhe në realizimin e Miss Albania-ve të tjera që Vera Grabocka solli në ekranet shqiptare, duke u marrë praktikisht me gjithçka që kishte të bënte me të bukurën, deri dhe me grimin e vajzave, një nga talentet e shumta të Bobit. Herë prezantuese, herë në prapaskenë, herë në panel, Grabocka e ka angazhuar vazhdimisht Selimllarin në programet e saj duke u kujdesur për talentin që zbuloi vetë.
Një bashkëpunim i suksesshëm fitues dhe prej tij, një fitore tjetër e madhe, një miqësi e bukur dhe e fortë.