Skandal qeveritar! Ky mund të jetë epiteti i duhur për urdhrin e dhënë ndaj policisë që të ndalohen dhe kontrollohen të gjithë punonjësit e Agon Channel, të cilët dalin jashtë vendit.
Burime nga policia kanë bërë të ditur për SYRI.net, se urdhri gojor për të gjitha pikat kufitare është dhënë pak ditë më parë, me nisjen e sezonit të pushimeve dhe është shoqëruar edhe me emrat e të gjithë punonjësve të televizionit me pronar italianin Francesco Becchetin.
Gjithçka mësohet se ka të bëjë me faktin se mos ndonjë nga punonjësit e italianit të kërkuar nga drejtësia shqiptare mund të kalojë dorazi para në kufi, me qëllim që ti sjellë në Shqipëri pasi me vendim gjykate punonjësit kanë disa muaj pa marrë pagat.
Në listën e shpërndarë mësohet se ndodhen emrat e të gjithë bashkëpunëtorëve të Becchetit, duke nisur që nga Fatos Lubonja, Andi Bejtja, Sonila Meço, Adi Krasta, Afrim Krasniqi, Saimir Kodra, Genti Zenelaj dhe emra të tjetër të njohur që punojnë në këtë media.
Disa ditë më parë, Gjykata e Tiranës nuk lejoi që të zhbllokoheshin disa llogari bankare që punonjësit të paguheshin, për shkak se u janë bllokuar të gjitha llogaritë nga frika se mos dikush nga ata bën transferta.
Prej muajsh qeveria është në përballje me Agon Channel dhe pronarin e këtij televizioni, italianin Francesco Beccheti. Prokuroria e akuzon këtë të fundit për pastrim parash dhe për këtë arsye e ka shpallur në kërkim. Bashkë me Becchetin në kërkim janë edhe disa bashkëpunëtorë të tij, të cilët akuzohen se kanë bashkëpunuar.
Ja lista me emra dhe numrat e pasaportave të shpërndara në kufi