Universiteti i Oksfordit është shpallur universiteti numër një në botë për të gjashtin vit radhazi në listën e Times Higher Education të universiteteve më të mira në botë.
Oksfordi doli në vend të parë nga 1,662 universitete nga 99 vende dhe rajone të ndryshme, duke u bazuar në 13 tregues të performancës akademike.
Universiteti i Harvardit u rendit i dyti, sëbashku me universitetin tjetër amerikan në bregun perëndimor, California Institute of Technology. Tetë nga dhjetë universitetet më të mira ishin amerikane, ndërsa Universiteti Cambridge në Mbretërinë e Bashkuar u rendit i pesti.
Kina vazhdoi të ngrihet në renditje, me dy universitete ndër njëzet më të mirët, Universiteti Tsinghua dhe Universiteti i Pekinit, të dy në vendin e 16-të. Nga Kina u listuan 10 prej 200 universiteteve më të mira në botë, nga shtatë vitin e kaluar dhe vetëm dy në vitin 2016.
Gjithashtu katër universitete nga Hong Kongu u përfshinë në 100 më të mirët ku Universiteti i Hong Kongut u rendit në vend të 30-të. Rezultatet e mira të Kinës dhe Hong Kongut shënojnë një rritje të performancës për rajonin e Azisë Lindore në fushën akademike.
Louise Richardson, zëvendës presidentja e Universitetit të Oksfordit, tha për Times Higher Education: “Kolegët e mi dhe unë jemi absolutisht të kënaqur që kemi arritur përsëri në krye të listës. Ka shumë universitete të mëdha në të gjithë botën dhe ne jemi krenarë që jemi në shoqërinë e tyre.
“Viti i shkuar i ka demonstruar publikut dhe qeverive sa shumë mund të kontribuojnë universitetet në shoqëri. Vaksina e krijuar nga Oksfordi po shpërndahet në mbi 170 vende dhe janë prodhuar mbi një miliardë doza”.
Ky është viti i parë që studimet e Covid-19 patën një ndikim në të dhënat e renditjes, duke pasqyruar rolin jetësor të universiteteve në të kuptuarit dhe menaxhimin e krizës dhe duke përmirësuar performancën e Kinës, pasi disa nga universitetet e saj përfshirë Universitetin Wuhan dhe Capital Medical University, përparuan në renditje si rezultat i hulumtimeve mbi virusin.
Rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut gjithashtu pati një performancë më të mirë. Universiteti King Abdulaziz në Arabinë Saudite u rendit për herë të parë ndër 200 më të mirët, në vendin e 190-të. Arabia Saudite dhe Egjipti ishin vendet që shënuan rritjen më të shpejtë të performancës akademike të universiteteve të tyre. Po kështu edhe vende të tjera si Malajzia dhe Pakistani. /WEF/