Aktori i njohur Alec Baldwin ka dhënë një intervistë për rrjetin televiziv ABC, ku ka folur për herë të parë për ngjarjen tragjike gjatë xhirimeve të filmit Rust, ku mbeti e vrarë kineastja Halina Hutchins. Intervista vjen gjatë hetimeve të autoriteteve, i cili vazhdon një muaj pas ngjarjes tragjike.
Në një video të shkurtër, aktori shfaqet në lot teksa kujton Hutchins si dikë që admirohej nga kolegët e saj. “Thjesht nuk më duket e vërtetë,” i tha ai gazetarit George Stephanopoulos. Aktori thotë se tragjedia është gjëja më e keqe që i ka ndodhur ndonjëherë. Ai dëgjohet gjithashtu duke thënë: “Unë nuk e tërhoqa këmbëzën. Unë kurrë nuk do t’i drejtoja askujt armën dhe do t’i tërhiqja këmbëzën, kurrë“.
Ai thotë se nuk e ka idenë se si përfundoi plumbi i vërtetë në armë. “Dikush vuri një plumb të vërtetë në armë. Një plumb as që duhej të ishte.” Gazetari tha: “Siç mund ta imagjinoni ishte i shkatërruar por gjithashtu ishte shumë i sinqertë, ishte shumë i hapur, ai iu përgjigj çdo pyetjeje, ai foli për Halyna Hutchins, takimin me familjen e saj gjithashtu, dhe ai foli në detaje për atë që ndodhi në xhirime atë ditë.”
Më 21 tetor, kineastja Hutchins u qëllua për vdekje dhe regjisori Souza u plagos kur Baldwin qëlloi me një armë që ai besonte se ishte e sigurt, por në fakt përmbante një fishek të vërtetë.