Etika në media trajton parimet dhe standarde specifike mbi mbrojtjen dhe rekomandimin e koncepteve të sjelljes së drejtë dhe të gabuar. Media është mjeti nëpërmjet të cilave bëhet e mundur shpërndarja e informacionit apo dhe dijes në drejtim të një pluraliteti marrësish ose shfrytëzuesish pa dallim. Në të gjithë botën ne e dimë se komuniteti i fuqishëm i medias punon me një ritëm të jashtëzakonshëm për të qenë në pararojë të lajmit apo zhvillimit teknologjik. Në platformat e gazetarisë mediat konkurrojnë ashpër për pjesën e tregut dhe të audiencës. Megjithatë, shumë njerëz, duke përfshirë edhe ata që punojnë në media, ndihen të shqetësuar se në këtë atmosferë të mbingarkuar tensioni për të kapur informacionin më të fundit, por njëkohësisht për të ruajtur dhe standardet e gazetarisë dhe ato që rregullojnë median, gazetarët e pranojnë se gjenden nën një presion të vazhdueshëm. Dhe kjo atmosferë nuk është kurrë më shumë evidente se në Ballkanin Perëndimor, një rajon që ka njohur konflikte të gjata dhe jeton ende beteja të përhershme për çështje të tilla, si respektimi i lirive dhe i të drejtave themelore të njeriut.
Shërbimet në tërësi, që ofrojnë subjektet audiovizive mbështeten në kuadrin ligjor ndërkombëtar dhe kombëtar të çdo vendi, bazuar mbi praktikat më të mira dhe standardet perëndimore, të cilat progresojnë me kohën. Në të shumtën e rasteve këto rregulla apo norma morale dhe etike shpesh mbulojnë një spektër të gjerë të fushash.
Këshilli i Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive është një strukturë që mbikëqyr zbatimin e Kodit të Transmetimit të miratuar nga AMA sa i përket dinjitetit e të drejtave të tjera themelore të njeriut, në mënyrë të veçantë mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve, të së drejtës për informacion dhe sensibilizimit të opinionit publik lidhur me respektimin e normave morale dhe etike në programet audiovizive. Dhe bazuar mbi këtë shqyrtim çështjesh që kanë të bëjnë me etikën, Këshilli i Ankesave çdo 6 muaj boton një përmbledhje të përfundimeve të nxjerra në një buletin të veçantë, i cili quhet Buletini i Këshillit të Ankesave. Këshilli i Ankesave ka finalizuar tashmë dy buletine, një prej tyre është në variantin e botuar, përveç atij elektronik, ndërsa i fundit po finalizohet në variantin print. Ndërsa në buletinin e parë si çështje kryesore ka dalë mbrojtja e të drejtave të fëmijëve, bazuar mbi numrin e shumtë të ankesave që kanë ardhur me këtë përmbajtje, në buletinin e fundit janë publikuar më së shumti shqyrtime ankesash, ku pretendohet se cenohet dinjiteti njerëzor. Çështja e respektimit të dinjitetit të njeriut, një “e drejtë njerëzore” është një çështje që shkakton shpeshherë jo pak debate në mediat audiovizive. E nëse do të ndryshonim logjikën e këtij konteksti, mund të shtojmë gjithashtu se dhe vetë mediat kanë gjithë fuqinë e botës të ndikojnë nëpërmjet programeve të tyre në respektimin e kësaj të drejte. E vërteta është se thelbi i këtij parimi është ende i vështirë për t’u kuptuar e trajtuar nisur nga rastet, madje më shumë sesa ai i së drejtës për informacion dhe i lirisë së shprehjes. Rastet e shqyrtuara dhe gjykimi i tyre ndihmojnë gjithmonë e më shumë në përmirësimin e situatës së trajtimit të këtyre çështjeve, duke u mbështetur kryesisht tek rrënjët ligjore dhe elementet kryesore që përbëjnë atë që është përcaktuar si normë apo rregull etik, duke aplikuar që këtej standarde të kënaqshme në shërbimet audiovizive.
Edhe këtë vit si dhe një vit më parë, është kryer një anketim me mbështetjen e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, në Fakultetin Histori-Filologji, mbi performancën e Kodit të Transmetimit në mediat audiovizive. Pyetësori i mbështetur kryesisht mbi çështjet etike u organizua me 3 grupe të shpërndara në terren, sipas zonave të konceptuara brenda kompozimit social; zonë qendrore, zonë periferike dhe zonë informale. I gjithë anketimi është kryer në kryeqytetin shqiptar, Tiranë. Në pyetjet e anketimit jepen përgjigje mjaft interesante nga publiku mbi disa prej sfidave kryesore që ka media shqiptare sot. Psh., për pyetjen sa respektohen standardet e privatësisë në median audiovizive shqiptare, mesatarja e përgjithshme, thuhet se privatësia ruhet dhe respektohet vetëm disi nga media. Kjo mesatare është edhe më e ulët në vlerësimin që jepen për pyetjen nëse mediat janë apo jo në mbrojtje të interesit publik. Interesante paraqiten përgjigjet, duke marrë për bazë vlerësimin e qytetarëve në zonë gjeografike apo në bazë të arsimimit të tyre. Qytetarët që banojnë në qendër japin vlerësimin më të ulët. Sa më afër qendrës dhe sa më i arsimuar qytetari, aq më mosbesues paraqitet ai ndaj medias si mbrojtëse e interesit publik. Ndërsa për një pyetje tjetër se sa i pavarur është informacioni nga politika, kjo njeh mesataren më të ulët. Qytetarët me arsim të lartë ose pasuniversitar e vlerësojnë me mesataren më të ulët, duke mos pasur pothuaj fare besim se informacioni është i pavarur nga politika. Gjetjet e këtij anketimi besojmë se do të japin një kontribut thelbësor për njohjen e disa standardeve që një media duhet t’i njohë dhe t’i zbatojë. Kjo në mënyrë që sfida të tilla, si roli edukues në përmbajtje dhe rritja e cilësisë tek ato, t’i shkojë standardeve të kërkuara.
Sot jetojmë një botë digjitale, një realitet i ri, të cilit edhe ne, në Ballkanin Perëndimor, në Shqipëri nuk mund t’i shpëtojmë dot. Por si çdo prurje e re, edhe ky proces paraqet sfidat e veta. E në kontekstin që po flasim, sfida më e madhe në epokën digjitale është zhvillimi i strukturave për organizimin e brendshëm të mediave, që respektojnë standardet themelore të pavarësisë editoriale, administrimi dhe menaxhimi i mirë i tyre si dhe transparenca në çdo sektor.
Por si mundet që mediat të ndërtojnë një kulturë të profesionalizmit, që do të jetë një frymëzim për komunikim të përgjegjshëm në të gjithë peizazhin medial dhe më gjerë, në sferën e informacionit më të gjerë publik?