Pak ditë më parë u bë e ditur se klubet që do të marrin pjesë në veprimtaritë evropiane sezonin e ardhshëm, në Ligën e Evropës dhe në Ligën e Kampioneve, mund të detyrohen të tërhiqen nga garat nëse nuk e informojnë UEFA-n për kufizimet e udhëtimeve në vendet e tyre për shkak të virusit korona.
Organizmi që qeveris futbollin evropian bëri të ditur se një listë e kufizimeve të udhëtimeve mes vendeve të ndryshme në Evropë do të publikohej para çdo shorti të garave evropiane sezonin e ardhshëm.
Tanimë është mësuar se Tirana dhe të gjitha skuadrat e Shqipërisë do të bëjnë testet në Shqipëri dy ditë para ndeshjeve të Europës. UEFA ka marrë përsipër jo vetëm shpenzimet e tamponëve, por ajo ka licencuar një kompani në Tiranë që do t’i bëjë tamponët në mënyrë private, duke u shpëtuar skuadrave shqiptare nga 5 mijë euro shpenzime secila. Jo vetëm kaq, por bardheblutë mund të shmangin tani edhe udhëtimin nga Maqedonia dhe mund të udhëtojnë nga Tirana.
Katër klubet shqiptare që do të marrin pjesë në Kupat e Europës këtë sezon do të hasin në një situatë të pazakontë, natyrisht si të gjithë rivalët në vendet e tjera. Përpara ndeshjes së parë të Tiranës në Ligën e Kampioneve (18 ose 19 gusht) dhe Kukësit, Laçit e Teutës në Ligën e Europës (27 gusht), skuadrat do t’u nënshtrohen testeve të shpeshta për Koronavirusin.
Masat e marrë nga UEFA janë të rrepta, por të paktën testet do të bëhen në Tiranë dhe jo në ndonjë shtet tjetër. Shqetësimi më i madh i skuadrave shqiptare është fusha dhe me shumë mundësi klubet tona nuk do të luajnë në fushën e tyre.
UEFA do të hedhë shortin më 9 dhe 10 gusht në Nion të Zvicrës. Ndeshjet e turit të parë do të luhen më 17-18 në Ligën e Kampioneve dhe më 27 gusht për Ligën e Evropës. Sipas rregullores së re, e diktuar prej pandemisë, do të ketë vetëm një takim, jo vajtje-ardhje. Në short do të përcaktohet edhe fusha se ku do të luhet ndeshja. Nëse të dyja vendet konsiderohen si zonë e kuqe prej virusit korona, atëherë ekipi shqiptar do të luajë në një fushë të një vendi neutral.