Për të dytin vit radhazi shkollat do të hapen nën rregulla të forta anti-Covid. E teksa procesi mësimor pritet të nisë më 27 Shtator në të gjithë ciklin 9-vjecar dhe gjimnazet, Instituti i Shëndetit Publik ka bërë gati udhëzimin për vitin e ri shkollor.
Pavarësisht vaksinimit anti-Covid, mësuesit duhet të mbajnë maskë dhe distancë dy metra nga nxënësit gjatë orës së mësimit. Po ashtu përpara fillimit të shkollës, të gjithë stafet pedagogjike duhet të dorëzojnë certifikatën e vaksinimit pranë drejtorive të shkollave. Në rast të kundërt duhet të vërtetojnë përmes testimit anti-Covid statusin e tyre të negativizimit çdo javë.
Në udhëzimin e siguruar nga Tv Klan dhe që është riparë më 27 Gusht, e firmosur nga drejtoresha e ISHP, Albana Fico, rekomandohet që nxënësit e ciklit të ulët të mbajnë maskë, ndërsa për ata të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm mbajtja e saj do të jetë me detyrim.
Në klasë nxënësit duhet të qëndrojnë të ulur nga një në bankë dhe larg njëri-tjetrit në një distancë prej 1.5 metra.
Prindërit duhet të firmosin një deklaratë për stusin e vaksinimit apo nëse kanë persona të infektuar me Covid në familje.
Ushqimi në shkollë nuk do të lejohet. Duhet të ajrosen klasat dhe dezinfektantët duhet të jenë gjithë kohës në hyrje të shkollës.