Ditën e djeshme në teatrin “Skampa” në Elbasan janë vjedhur një sasi eurosh, të cilat kanë qenë të financieres ndërkohë që sot policia ka vënë në pranga rojën Sokrat Thano. 48-vjeçari akuzohet për neglizhencë në kryerjen e detyrës.
Persona të paidentifikuar kanë hyrë në ambientet e teatrit nga dera e pasme dhe kanë shkuar në zyrën e financës, duke vjedhur paratë e kasafortës.
Sipas Policisë së Elbasanit, hajdutët kanë marrë 4500 euro, të cilët financierja i kishte lënë për ruajtje në zyrën e saj.
Njoftimi i policisë
Në vijim të informacionit të dhënë gjatë ditës së djeshme, ku persona të paidentifikuar në Lagjen “Luigj Gurakuqi” kanë tentuar të vjedhin me thyerje zyrat e katit të dytë në Teatrin Skampa por nuk kanë arritur të marrin asgjë nga Institucioni.
Nga veprimet e para hetimore dhe bazuar në deklaratën e Financieres së këtij institucioni rezulton se janë vjedhur rreth 4500 Euro në kasafortën e zyrës së Financieres së këtij institucioni dhe se kjo shumë parash ishte e saj personale të cilat i kishte lënë për ruajtje në zyrën e saj. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Elbasan, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:
Sokrat Thano, 48 vjeç banues në Elbasan.
Arrestimi i tij u bë pasi shtetasi i lartpërmendur është i punësuar pranë një firme private dhe ka qenë i planizuar me shërbim roje objekti pranë Teatrit Skampa dhe dyshohet të mos i ketë përmbushur detyrat e tij funksionale, duke neglizhuar në kryerjen e kësaj detyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Vjedhja e mbetur në tentativë” parashikuar nga nenet 248, 134 dhe 22 të Kodit Penal./Blitz.al/