Ish prokurori i Peshkopisë i shkarkuar nga vetingu Tom Dedaj në një status në Facebook u bën thirrje kolegëve të tij të bojkotojnë procesin.
“Ju bëj thirrje të gjithë prokurorëve e gjyqtarëve të bojkotojnë procesin e rivlerësimit, vetingut. Mos u paraqisni para tyre, mos shkoni qysh nesër në punë, braktisni detyrën, derisa gjendja e ligjit të përmirësohet” – shkruan ai.
Dedaj u shkarkua nga detyra në 28 janar 2019 nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Ai u dënua me 3 vite burg nga ish-Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda në korrik të vitit 2018 për korrupsion pasiv. Por në nëntor 2018, Apeli e lehtësoi situatën e Dedës duke ndryshuar akuzën në “moskallëzim krimi” dhe e dënoi me një vit heqje lirie, si dhe pezullimin e dënimit me vendosjen e tij në periudhë prove dy vjeçare.
Dedaj u procedua nga ish-prokuroria për Krime të Rënda pas denoncimit në emisionin investigativ “Fiks Fare” të një rasti kur një qytetar i ofroi në zyrë 20 mijë lekë në këmbim të rikthimit të kamionit të bllokuar.
Në korrik të këtij viti ai e ankimoi shkarkimin e tij në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Ky i fundit vendosi ta pushojë çështjen. Ish-prokurori mungoi në seancë.
Ai shkruan në FB se largimi i gjykatësve dhe prokurorëve nga sistemi pa i zëvendësuar ata ka krijuar probleme madhore, ndërkohë që ndëshkimi për korrupsionin duhej të kishte nisur nga politika:
“Amerikë kam një pyetje në emër të të gjithë shqiptarëve. Kur ndërmore reformën në drejtësi, që shumë shumë mirë bëre, dhe krijove SPAK, që shumë shumë mirë bëre, a kishe në plan të fusje në burg Sali Berishën, Fatos Nanon, Aleksander Meksin, Edi Ramën, Lulzim Bashën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin e gjithë ministrat kriminelë e të korruptuar të Shqipërisë!? A kishe ndermend dhe a ke dosje ti për ta?” – shkruan ish-prokurori në FB
“Duhet me u prononcu patjetër që edhe ne ta ndajmë mendjen nëse këto njerëz do të kemi në drejtim deri sa të vdesim? Po nuk i ke patur këto plane dhe brenda vitit ti nuk largon këta lidera e këtë klasë politike të Shqipërisë, po nuk i fute në burg dhe po nuk jua more pasurinë e tja kthesh arkës së shtetit, ti shumë shpejt do humbasësh lidershipin dhe respektin e shqiptarëve, më keq ende do fitosh urrejtjen tonë. Mos harro, largimi nga puna i prokuroreve e gjyqtareve pa i zevendesuar ata ka hapur probleme madhore të jetës” – shkruan prokurori i shkarkuar nga vetingu.