Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi falenderoi të gjithë anëtarët që e rikonfirmuan në krye të partisë. Ajo doli në një deklaratë të dedikuar për mediat, ku shprehu mirënjohjen për ta.
“Nuk gjej dot fjalë që t’iu shpreh nderimin dhe mirënjohjen që kam për të gjithë, por me zemër dua t’iu them: Faleminderit! Dua t’iu falënderoj për gjithë përkushtimin, për gjithë vendosmërinë dhe rezistencën, për qëndresën shembullore, por edhe për tëgjithë respektin dhe dashurinë që ju më falët në zgjedhjet e 21 nëntorit, të ditës së shtunë, me një anëtar një votë, në Lëvizjen Socialiste për Integrim.
Pjesëmarrja juaj në zgjedhje ishte një manifestim i shkëlqyer solidariteti dhe besimi. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është një mesazh përgjegjësie dhe angazhimi. Pjesëmarrja juaj në zgjedhje është tashmë një sfidë e fituar, së pari me vetveten në një proces rindërtimi e vetëpastrimi, çka më bën mua sot, kryetaren më të nderuar, sepse kam nderin që të kem në krah njerëz të ndershëm, jo vetëm në partinë tonë, por njerëz që punojnë më përkushtim dhe e duan vendin e tyre. Ndaj ndjej detyrim dhe mirënjohje për të gjithë ju. Prandaj dua me dorë në zemër edhe njëherë të them FALEMINDERIT LSI!”
Monika Kryemadhi nënvizoi se LSI ka si prioritet t’u kthejë shpresën shqiptarëve dhe premtoi më shumë vende të reja pune.
“Sot është vetëm fillimi. Ne jemi të vetëdijshëm për vështirësitë e mëdha që na presin, por ne jemi mësuar tashmë me vështirësitë, sepse ato kanë qenë sfida jonë,sepse ne prandaj jemi bashkë që të fitojmë mbi të gjitha sfidat që i kanë dalë përpara LSI-së. Dhe që të fitojmë mbi vështirësitë, ne duhet t’u ofrojmë shqiptarëve shpresën, atë shpresë që u mungon, atë shpresë e cila i është grabitur dhe vrarë nga qeveria pseudo rilindase. Ne e kemi për detyrë t’ua kthejmë shqiptarëve shpresën dhe dimë ta bëjmë këtë gjë, sepse ne do të krijojmë vende të reja pune, sepse ne do të ndihmojmë familjet të menaxhojnë kostot e jetesës, të cilat kjo qeveri i ka rritur çdo ditë e më shumë. Ne do të dimë të garantojmë për fëmijët e shqiptarëve që të kenë një arsim të mirë dhe cilësor, në mënyrë të tillë që të gjejnë vende pune me pagë të mirëpaguar. Ne do të bëjmë të mundur që çdo shqiptar të ndjehet ë Shqipëri si nështëpinë e tij.”
Monika Kryemadhi shtoi më tej se LSI është partia e të rinjve dhe se do të punohet fort që ata të kenë më shumë mundësi e një të ardhme më të mirë.