Zbardhen detaje të reja lidhur me vrasjen e shqiptarit Armando Beqiri në Islandë mbrëmjen e djeshme. I riu shqiptar nga Tepelena, u ekzekutua duke hyrë në portën e shtëpisë së tij në Islandë, duke lënë pas një fëmijë dhe bashkëshorten shtatzënë.
Deri më tani për vrasjen e tij, Policia ka shoqëruar tre persona që dyshohet se kanë gisht në ekzekutim. Dy prej të arrestuarve janë të huaj, rreth të 40-ave, ndërsa tjetri është në të 50, nga Islanda. Megjithatë mbetet ende i paqartë roli që ka pasur secili prej të arrestuarve në vrasje.
Dyshohet se vrasja se ka ndodhur për shkak të prishjes së pazareve të drogës, edhe pse viktima prej 7 vitesh jetonte në Reykjavík, ku edhe kishte nisur një jetë të re, larg asaj me probleme.Ai kishte marrë nënshtetësinë islandeze dhe kishte hapur një biznes që merrej me ruajtjen fizike ndërsa si një i apasionuar nga futbolli, ishte mbështetës i flaktë të ekipit kombëtar të futbollit të Islandës.
Beqiri u vra pak minuta para mesnatës së të shtunës, pasi parkoi makinën e tij në garazh, dhe po i drejtohej derës kryesore të banesës. Nga pas iu afrua një makinë, nga e cila e qëlluan disa herë me plumba në shpinë, qafë dhe kokë duke e lënë të vdekur në vend.