Kur disa vite më parë kreu i ICOMOS-it, Giora Solar, erdhi në Durrës dhe pa gërmimet në qendër të qytetit, tek ish-lulishtja “1 Maji”, u shpreh se zbulimi ishte më i rëndësishëm edhe se vetë Pompei, sepse tregonte për një vazhdimësi qytetërimi dhe traditash.
Por, në vitin 2010, me firmën e ish-ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferaj, të Institutit të Monumenteve të Kulturës Apollon Baçe dhe drejtorit të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik Roland Olli, “Pompei” shqiptar mori fund. Mbi rrënojat e një lagjeje të tërë të qytetit antik të Durrësit, e cila mendohej ta kishte zanafillën qysh në shek. II para Krishtit u dhanë leje ndërtimi. I gjithë qyteti i Durrësit ishte dëshmitar për masakrën që po ndodhte në këtë zonë të rëndësishme arkeologjike, të gjithë panë se si u rrethua lagja antike, si u betonua dhe u ngritën para syve të tyre ndërtesat shumë-katëshe. Por askush nuk e denoncoi këtë rast. Sot mbi sipërfaqen e gërmimit janë ngritur dy pallate gjashtëkatëshe me garazhe nëntokësore. Pak ditë më parë, një nga anëtarët e Forumit të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore, gazetari Marin Mema, bëri denoncimin e këtij rasti në emisionin “Exclusive”. Disa dokumente, vënë në dispozicion nga Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, të cilat datojnë në vitin 2010, flasin qartë për masakrën e radhës në zonën arkeologjike në Lagjen 11, Rruga “Prokop Meksi” në Durrës. Pavarësisht zbulimeve, të konsideruara si më të rëndësishmet e 30 viteve të fundit (madje ASHA, fotografinë e rrënojave e kishte vënë mbi raportin vjetor, 2010), mjaftuan ca firma që ato të zhduken përgjithmonë. Dëmi është i jashtëzakonshëm dhe i pakthyeshëm, veçse, kur bëhet fjalë për një qytet si Durrësi, i cili ngrihet mbi themelet e një qytetërimi të lashtë, ky rast mund të përsëritet.
Dokumenti
Në datën 27 korrik 2010, një grup pune i përbërë nga 8 specialistë dhe drejtues institucionesh, mes të cilëve ish-ministri Xhaferaj, ish-drejtori i IMK-së Baçe dhe ai i ASHA-s, Olli, firmosën “Fillimin e lirimit të gropës për ndërtimin e objektit sipas projektit të depozituar pranë sekretarisë teknike të KKA-së”. Ky vendim u firmos edhe nga drejtuesi i Shoqërisë Arkeologjike që kishte marrë përsipër kryerjen e gërmimeve të shpëtimit në këtë zonë, “A.K.eR”, Gjergj Frashëri. Në një relacion të kësaj shoqërie thuhet se “rezultatet e deritanishme të gërmimit dhe dokumentimit arkeologjik vërtetojnë përfundimin e parakërkimeve të ASH-së, se sipërfaqja në fjalë ka qenë pjesë e qytetit romak, lagje në unazën pranë mureve rrethuese të qytetit, por brenda tyre. Në periudhën e hershme bizantine ka një fluks mbindërtimesh ose planimetrish të reja mbi ato të vjetrat, nga shtresat zejtare të qytetit. Ndoshta prej mesit të shek. VI pas Krishtit kualiteti i ndërtesave të qytetarëve në këtë hapësirë binte ndjeshëm, të cilat tashmë ndërtohen shumë më lart në kuotë, mbi mbushjet masive të shtresave të antikitetit dhe tashmë jashtë mureve rrethuese të reduktuara…”.
Më tej, kjo shoqëri, e cila ka përfunduar misionin e saj të shpëtimit në datën 22 korrik 2010, propozon “largimin e sipërfaqes së mozaikut prej 0,6 m2 dhe vendosjen e tij në telajo për paraqitje muzeale; largimi për qëllime muzeore i sipërfaqes (tavolinë 1,7×1,10m) së punës për prodhimin e objekteve të qelqit; të kryhet ruajtja për qëllime muzeore e një fragmenti të rrugës me kalldrëm prej rreth 6 m2 në anën perëndimore të rrugës; zmontimi dhe montimi i gurëve të bazamentit të murit verior”. Pavarësisht se bëhej fjalë për një dëshmi të prekshme të një qytetërimi të tërë, me rrënoja ndërtesash, rrugë, mure, pazare, mozaikë, punishte…., ajo u firmos të betonohej.