Twitter konfirmon se Donald Trump nuk do të mund të jetë pjesë e saj asnjëherë, edhe nëse ai kandidon përsëri për president.
“Nëse hiqesh nga platforma, hiqesh nga platforma”, është shprehur në një intervistë zyrtari kryesor financiar i Twitter, Ned Segal.
Donald Trump u ndalua nga Twitteri për shkelje të rregullave të rrjetit social pas trazirave që ndodhën në Shtetet e Bashkuara në 6 janar.
Segal, më tej u shpreh:
“Mënyra se si funksionojnë politikat tona, është se kur largoheni nga platforma dhe iu fshihet profili, nuk mund të hyni më edhe nëse jeni një milioner, edhe nëse jeni njeri i thjeshtë, edhe nëse jeni (ish) presidenti. Mos harroni, politikat tona janë krijuar për t’u siguruar që njerëzit nuk janë duke nxitur dhunë dhe nëse dikush e bën këtë, ne duhet t’i heqim ata nga shërbimi.”
Shumë figura publike dhe zyrtarë të zbatimit të ligjit fajësuan Trump për dhunën në Capitol, e cila la pesë njerëz të vdekur.
Nga ana tjetër, bllokimi nga Twitter acaroi mbështetësite tij, të cilët kanë akuzuar prej kohësh platformat e mediave sociale për paragjykim. Donald Trump Jr, djali i tij i madh, e dënoi vendimin dhe u shpreh se fjala e lirë ka vdekur në Amerikë.