Replika janë përcjellë mes TV Klan dhe selisë blu me kryetar Lulzim Basha. Televizioni akuzon kreun e opozitës se “nuk është burrë!”, kurse selia blu reagon dhe akuzon se televizioni është vënë nën shërbimin e qeverisë. Marrëdhëniet e Bashës tashmë me pronarin e këtij televizioni duket se janë prishur, pasi PD e ka denoncuar për ndërtimin që po bën tek Laguna Blu. Por, Frangaj është kujdesur që të tregojë se ai ka prishur marrëdhëniert vetëm me Bashën, por jo me Berishën. Ky i fundit ka qenë dje në studiot e ABC dhe është pritur pikërisht nga Aleksandër Frangaj. Mediat aludojnë sot se ‘pas duelit PD dhe TvKlan, fshihet dueli i heshtur Berisha-Basha’.
Replikat TVKLAN-PD
Dje TV Klan lexoi në lajme këtë tekst të cilin po e publikojmë të plotë :
“Partia Demokratike, në përpjekjet për t’ia faturuar Kryeministrit Rama dhënien e disa lejeve zhvillimore, ka kritikuar sot edhe Televizionin Klan për censurë. TV Klan, dje në kronikën e tij, ka cituar deklaratën e Partisë Demokratike, ku ajo thotë se Edi Rama gënjeu shqiptarët duke dashur t’i ikë përgjegjësisë për lejet e ndërtimit që ka dhënë me firmën e tij dhe se Lulzim Basha nuk ka dhënë asnjë prej këtyre lejeve të ndërtimit. Nga ana tjetër, kemi dhënë dhe reagimin e qeverisë, që nëpërmjet një dokumenti të firmosur nga Enno Bozdo, në emër të Bashkisë së Tiranës dhe Shoqatës së Ndërtuesve i kërkohej Edi Ramës, si Kryetar i Këshillit Kombëtar të Territorit që t’u jepte leje ndërtimi disa kompanive të cilat dosjet e tyre ishin përgatitur në bashki para datës se hyrjes në fuqi të vendimit për bllokim të lejeve nga ana e Ramës.Pra Klan ka dhënë të dy qëndrimet; PD në që thotë që lejet nuk i ka dhënë Basha dhe Ramën që thotë që lejet mi ka kërkuar Bashkia që t’i jap, me kërkesë e firmë të Enno Bozdos. Jo vetëm me zë, por edhe me figurë janë paraqitur 2 dokumentet të filmuara. Kronika gjendet e plotë edhe në internet. Ne nuk e kuptojmë ku qëndron censuara e Klan këtu, por si duket kompleksi për firmat e hedhura dhe paburrëria për t’i qëndruar me dinjitet atyre çka kanë rënë dakort kur ishin në atë zyre, i detyron t’ia faturojnë TV Klanit si censurë. Megjithatë, meqenëse PD na ka akuzuar për censurë, pavarësisht të vërtetës, ne i kërkojmë ndjesë dhe i premtojmë që nuk do ta përsërisim më. Por në fund duam t’i themi një gjë, që opozita bëhet me burra dhe jo me fëmijë që çfarë të thonë në mëngjes nuk ta thonë në mbrëmje”.
PD reagon me kete shkrim
Partia Demokratike shpreh keqardhjen për qëndrimin e përsëritur editorial të televizionit Klan kundër opozitës, të pabazuar në fakte e aspak objektiv. Shtrembërimi i realitetit sipas axhendës personale është sherbimi më i keq që mund të bëjë një media. Edhe më keq, kur vihesh totalisht në shërbim të qeverisë dhe sulmon opozitën, mbi sajesa. Por ka akoma edhe më keq, kur premton publikisht se nuk do censurosh më, ndërkohe që brenda të njëjtës sulm-kronike paraqet të gjymtuar deklaratën e Partisë Demokratike.
Partia Demokratike nuk mund të shantazhohet. Vlerat e lirisë dhe historia e kësaj force politike qëndrojnë lart e janë të pangjashme me interesat e ditës së kujtdo pronari mediash.
Berisha me Aleksandër Frangaj
Ka muaj që pas zgjedhjeve të humbura të 23 qershorit 2013 marrëdhëniet mes PD e TV Klan nuk janë si dikur në ditët e pushtetit kur drejtonte Berisha qeverinë. Mediat shkruajnë sot se ‘dilemat janë se mos u thyen miqësitë mes Klanit dhe Bashës apo mes Klanit e Berishës. Por dilemën e zgjidh deri diku Berisha që mbërriti dje në lajmet e mbrëmjes në ABC neës, televizion në pronësi të Aleksandër Frangajt. Pra ish-kryetari shkoi në oborrin e Klan dhe ABC neës për të folur për situatën politike, por jo vetëm kaq. Natyrisht që pas emisionit është folur edhe për reagimin e selisë blu kundër Klan.
Media të tjera të shkruara si ‘Koha Jonë” hedhin dilemat se ‘Mos ka sherr mes Berishës dhe Bashës, ku i pari shkon në selinë Klan e tjetri shigjeton aty ku shkoi Saliu?”.
Kurse ‘Tema’ shkruan se “Kur Lulzim Basha shkoi të enjten në studiot e TV Klan, atë nuk doli ta priste askush. Për këtë arsye, u fut direkt në emision. Kur Berisha shkon në Klan, pritet direkt nga Frangaj. Dhe, Klan është kujdesur që të postojë foton, duke thënë se Frangaj pret Berishën’.
Marre nga Balkanweb