Të dhënat e matësit më profesional dhe më të besueshëm të audiencës, “Telemetrix” tregojnë mesataren më të lartë të shikueshmërisë së eventeve televizive në ekranet shqiptare. Matjet e audiencës bërë nga 1 janari deri më 30 nëntor të 2015 dëshmojnë se torta e shikueshmërisë vazhdon të ndahet mes 3 televizioneve- Tv Klan, Top Channel dhe Vizion Plus- dhe prej vitesh nuk arrin të jetë e prekshme nga televizionet e tjera në vend.
1- “SHQIPËRI-SERBI” thyen rekord. Pas tij, Ragni dhe Sadna.
Surpriza e të dhënave të “Telemetrix” është Televizioni Publik (TVSH) që në matjet e mëparshme thuajse nuk figuron fare në tortën e shikueshmërisë. Por pavarësisht kësaj, ajo figuron në “Telemetrix” vetëm me ndeshjet e futbollit, përkatësisht: Në vendin e parë me eventin televiziv më të parë të vitit, ndeshja”Shqipëri-Serbi” për të vijuar më tej me “Shqipëri-Armeni”, “Armeni-Shqipëri”, Shqipëri-Portugali” dhe “Danimarkë-Shqipëri”. Ky nivel i lartë shikueshmërie lidhet sigurisht edhe me rëndësinë e këtyre ndeshjeve dhe fazës kualifikuese të Kombëtares shqiptare për në Euro 2016. Megjithatë duhet thënë që edhe pse ndeshjet kanë mundur të kenë mesatare shumë të lartë shikueshmërie, ato transmetohen vetëm brenda 1 nate. Ndërkohë që në renditjen e programeve seriale/sistematike, telenovela indiane “Bidai” që transmetohet nga e hëna-e premte në TV Klan, triumfon mbi cdo prodhim tjetër televiziv vendas apo të huaj me mbi 60% “kapje” të shikueshmërisë.
2- TV KLAN: Televizioni i parë në shikueshmëri
Në renditjen e TOP-30 programeve/eventeve më të shikuara të vitit, TV Klan përfaqësohet me 13 prej tyre. Televizioni kombëtar nën drejtimin e Aleksandër Frangajt, vazhdon të mbretërojë në departamentin e telenovelave. Krahas “Bidai”-t, mesatare të lartë shikueshmërie kanë edhe telenovelat e tjera që transmetohen në këtë televizion si: “Diamante dhe Dashuri”, “Duaje jetën”, “Shtëpiake të Dëshpëruara” dhe “Dashuri e Ndaluar”.
Gjatë 3-mujorit të parë të vitit, një meritë për shikueshmërinë e lartë të Klanit, e ka patur edhe seriali “Lufta e Nuseve”, që arriti të kapë një copë të madhe audience me 45% dhe renditet i treti në 30-tëshen e fituesve televizivë.
Krahas telenovelave, Tv Klan pozicionohet mjaft mirë edhe me prodhimet e veta televizive si “E Diela Shqiptare”, “Dance With Me” apo “X Factor”. Përkatësisht, spektakli i kërcimit në Tv Klan “Dance with me” renditet 9 vende mbi spektaklin më të vjetër të këtij lloji “Dancing with the Stars” të Vizion Plus.
Programi-maratonë i të dielës “E Diela Shqiptare” vazhdon të renditet për të 3-tin vit (që nga nisja e matjeve të Telemetrix) në 10 emisionet më të shikuara, ndërsa emisioni “Opinion” që transmetohet të enjteve sipas të dhënave të mesatares së shikueshmërisë, nuk njeh asnjë konkurrent tjetër të këtij formati në ekranet shqiptare.
“Portokalli”, mbreti i Top Channel; Hyrje e mbarë për “Në një javë”
Spektakli i humorit “Portokalli” vazhdon të triumfojë si programi më i shikuar i Top Channel për të disatën herë radhazi. Sipas të dhënave ai renditet si eventi i 5-të televiziv më i ndjekur i vitit.
Ka vetëm pak javë që ka nisur transmetimin spektakli më i ri në ‘Top Channel’, ‘Në një javë’, por duket se nisja ka qenë e mbarë. Versioni shqiptar i “I Can do that” edhe pse ka një muaj që ka nisur, ka arritur të hyjë në renditjen e Top 30, duke lënë pas programe më të konsoliduara të këtij televizioni si “Masterchef 3” apo “Big Brother Fan Club”.
Edicioni qëndror i lajmeve në ‘Top Channel’ që transmetohet në 19:30, vijon të mbetet referuesi kryesor i informacionit për shqiptarët dhe me shikueshmërinë më lartë krahasuar me televizionet e tjera.
“Al Pazar”, arma e fortë e Vizion Plus
Vizion Plus këto 11 muaj ka arritur mesataren më të lartë të shikueshmërisë me show-n e humorit, ‘Al Pazar’ që renditet i 7-ti ndër prodhimet vendase televizive. Në mesin e 30 eventeve më të ndjekura televizive, Vizion Plus përfaqësohet, krahas humorit edhe me 2 spektakle të tjera: ‘Dancing With The Stars 5’ dhe ‘Tu si que Vales’ që i përkasin sezonit të kaluar Janar – Qershor.
Marrë nga Anabel