Athina zyrtare ka dërguar përsëri një notë proteste ndaj Ankarasë pasi Turqia ka rinovuar përsëri sot pas mesnate Naftex-in me të cilin izolon prej ditës së sotme deri ne datën 14 Nëntor një zonë detare brenda ujërave territorial të Greqisë, për të kryer kërkime sizmiologjike për hidrokarbure me anë të anijes se saj “Oruc Reis”.
“Me këtë akt Turqia konfirmon edhe një herë se vazhdon të injorojë rregullat themelore të së Drejtës Ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, ky veprim krijon tension të mëtejshëm në një zonë të pambrojtur në të cilën aktualisht vëmendja është përqendruar në ofrimin e ndihmës dhe ne shprehjen e mesazheve të mbështetjes dhe solidaritetit” –thekson deklarata e ministrisë së Jashtme greke.
Gjithashtu ministria e Jashtme nënvizon se këto veprime tregojnë edhe një herë qe Turqia vazhdon të veprojë në kundërshtim me thirrjet e komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë edhe Konkluzionet e Këshillit Europian të tetorit të kaluar, i cili i bëri thirrje Turqisë që t’i japë fund këtyre akteve.
“Greqia dënon përsëri këtë sjellje te paligjshme , e cila largon mundësinë e një dialogu konstruktiv dhe i bën thirrje Turqisë që menjëherë të marre mbrapsht Navtex-in e saj të paligjshëm” –përfundon deklarata.
Në këtë kontekst, ministri i Jashtëm Nikos Dhendias ka njoftuar menjëherë edhe aleatet dhe partneret e Greqisë në BE dhe NATO për vazhdimësinë e akteve provokuese të Turqisë.
Anija turke “Oruc Reis” kryen kërkime sizmike në thellësinë e një zone detare në juglindje të Rodosit dhe Karpathos prej mesit të gushtit duke lëvizur nga veriu në jug dhe anasjelltas. Ajo lundron zakonisht me një shpejtësi prej 4.5 nyjesh dhe shoqërohet me anije luftarake turke, ndërsa vëzhgohet nga afër prej forcave të marinës luftarake greke.
Kërkimet e saj në këtë zonë dhe afrimi i saj deri ne 9 milje detare pranë ishullit grek Kastelorizo, para disa ditësh kanë sjellë në kulm tensionin mes dy fqinjëve.
Greqia është përpjekur me lëvizje diplomatike të ndërkombëtarizojë ato që ajo i quan provokime të vazhdueshme dhe shkelje të ujërave të saj territoriale, duke marrë edhe përkrahjen e shteteve të BE , të cilat kanë paralajmëruar Ankaranë që të shmangë konfrontimet , ndërsa pritet në samitin e dhjetorit të marrin një vendim unanim për të, ndoshta edhe sanksione ekonomike