Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se do të urdhërojë administratën që të ndalojë financimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Trump tha se OBSH-ja dështoi në detyrat e saj bazike në përgjigjen ndaj shpërthimit të koronavirusit.
Ai akuzoi institucionin e Kombeve të Bashkuara për keqmenaxhim dhe mbulimin e përhapjes së virusit pasi shpërtheu në Kinë. Për këtë, Presidenti amerikan tha se duhet mbajtur përgjegjësi.
Më herët, Trump ka akuzuar OBSH-në se ka mbështetur Kinën.
“Do të urdhëroj administratën që të ndalojë financimin ndërkohë që do të kryhet një inspektim ndaj rolit në OBSH për keqmenaxhimin dhe mbulimin e përhapjes së koronavirusit”, tha Trump.
Menjëherë pas kësaj deklarate reagoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, i cili tha se kjo nuk është koha për të prerë financimet e OBSH-së.
Financuesi më i madh i OBSH-së është SHBA-ja, me rreth 400 milionë dollarë në vit. Ndërsa, kontributi i Kinës një vit më parë ka qenë rreth 76 milionë dollarë.
SHBA-ja është vendi më prekur nga Covid-19 si për nga numri i viktimave dhe ai i të infektuarve. /tvklan.al