Skuadra e Barcelonës është tronditur paraditen e sotme, pasi ish-presidenti Josep Maria Bartomeu, CEO i klubit dhe përgjegjësi i shërbimeve ligjore janë arrestuar në vazhdën e hetimeve të skandalit që tashmë njihet me emrin “Barçagate”.
Skandali është zbuluar një vit më parë nga mediat spanjolle, që nëpërmjet fakteve treguan se në listpagesat e klubit “blaugrana” ishte edhe një kompani e specializuar në rrjetet sociale. Kjo kompani paguhej nga klubi për të shpërndarë informacione të rreme dhe diskretituar në rrjetet sociale lojtarët e rëndësishëm të skuadrës si Messi, Xavi apo Pique, që ishin kundër linjës së drejtuesëve, po ashtu edhe analistët e futbollit dhe personazhe të tjerë.
Pasi lajmi u bë publik, nisën menjëherë hetimet për rastin . Ditën e sotme policia zhvilloi kontrolle në selinë e klubit të Barcelonës, ndërsa në pranga është vënë Bartomeu dhe të tjerët. Po ashtu ish-Presidenti akuzohet për disa veprime të jashtë ligjshem financiare, si falsifikimi i dokumentave për heqjen nga puna të personelit, në mënyrë që të shmangeshin taksat.
Mediat e huaja theksojnë se hetimi ndaj drejtuesëve të skuadrës është drejt fundit, ndërsa policia ka sekuestruar prova të rëndësishme dhe sipas tyre pritet të ketë të tjera arrestime.