Një ngjarje tronditëse është shënuar në Dibër, ku janë nxjerrë të pajetë nga një minierë tre punëtorë. Prej 48 orësh ata kishin humbur kontaktet me familjarët e tyre dhe ngjarjen në polici e denoncoi vëllai i inxhinierit Ismail Hoxha, Sami Hoxha. Pasditen e djeshme ai shkoi në komisariat dhe kërkoi ndihmën e efektivëve, të cilët më pas filluan kërkimet bashkë me banorët dhe u futën në galerinë e Selishtës. Në fillim u gjetën sendet personale të punëtorëve dhe 100 metra më tutje trupat e tyre të pajetë. Nuk dihet ende se pse kanë qenë vetëm tre punëtorë brenda në minierë, ndërsa policia ka nisur hetimet.
Njoftimi i Policisë:
Në vijim të informacionit të dhënë, ku tre shtetas që punonin në minierën e “Balgjaj”, Selishtë, kishin humbur kontaktet me familjen, ju informojmë se rreth orës 03:00 datë 29.10 2020 në thellësi të minierës në Selishtë, nga ana e grupit avari- shpëtimit, u gjetën trupat e pajetë të shtetasve, I. H., 64 vjeç, banues në Peshkopi, F.Ç., 55 vjeç, banues në Bulqizë dhe R. R., 33 vjeç, banues në Bulqizë. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se kanë humbur jetën si pasojë e asfiksisë nga gazrat e minierës. Vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.