Kompania TRIMED që zotëron 20 për qind të aksioneve të koncesionit të Check Up (3P Logistic) do të zgjerohet në tregun farmaceutik. Përmes një njoftimi të bërë pranë Autoritetit të Konkurrencës është njoftuar transaksioni i blerjes lidhur me bashkimin me përthithje të të shoqërisë Riofarma SHPK nga shoqëria Trimed SHPK. Në njoftmin e saj konkurrenca jep detaje lidhur me palën blerëse dhe atë shitëse.
“Blerësi: Trimed SHPK, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e themeluar sipas legjislacionit shqiptar me objekt veprimtarie; Import-Eksport tranzit, Depo Farmaceutike, Përfaqësim në fushat farmaceutike, prodhim-përpunim-konfeksion; import-eksport-tranzitim-tregtim me shumicë e pakicë të medikamenteve, materialeve mjekësore e aksesorëve të tyre, barnave, materialeve dentare e veterinare, higjenosanitare, barnave mjekësore popullore, artikujve të ndryshëm kozmetike e produkteve të parukerisë & estetikës, solucioneve injektabël të lëngjeve të distiluara dhe të gazuara, avulli & akulli, produkteve me origjinë bimore e shtazore,etj. Pajisje laboratorike, marketing dhe promocion. Import-eksport-tranzitim-tregtim me shumicë dhe pakicë të paisjeve mjekësore, pajisjeve dhe instrumenteve ortopedike, protezave të artikulacioneve dhe impianteve dentare.
Shitësi: Z. Edmond Hido, është person fizik dhe aksioner i vetëm i shoqërisë Riofarma SHPK, i cili zotëron 100% të aksioneve. Shoqëria Target: Riofarma SHPK, është një shoqëri e themeluar e themeluar sipas legjislacionit shqiptar me objekt të veprimtarisë; Tregtim me shumicë dhe prodhim i medikamenteve farmaceutike, imp-eks i tyre, pajisje, instrumente medicinale, sanitare, ushqime dietale për fëmijë.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të Ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros. Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës. Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar” thuhet në njoftimin e Konkurrencës.
Trimed, e krijuar në vitin 2004 ka shënuar një rritje të aktivitetit vitet e fundit. Sipas të dhënave nga bilanci zyrtar, të ardhurat e kompanisë ishin 2.1 miliardë lekë në vitin 2018, me një rritje prej 15% me bazë vjetore.
Ndërsa Riofarma është krijuar që në vitin 1994. Z.Hido është aksioner dhe në kompaninë e distribucionit, Interlogistic, sipas të dhënave nga QKB, një ndër më të mëdhatë në vend.
Koncesioni i Check up
Kompania që po zbaton kontratën koncesionra të check-up, “3P Life Logistic” zotërohet në 80% të aksioneve nga kompania Marketing & Distribution dhe në 20% nga kompania Trimed. Ajo merr rreth 876 milionë lekë pagesa në vit për shërbimet që kryen. Kompania ka fituar koncesionin e Ofrimit të Shërbimit të Kontrollit Bazë (Check-Up), e cila është nënshkruar në vitin 2015 dhe afati i saj është 10 vjet. Vlera totale e saj ishte 8.7 miliardë lekë dhe deri në përfundim të saj, në vitin 2024, buxheti pritet të disbursojë edhe 5.2 miliardë lekë.
Sipas kontratës Check up duhet të kryejë rreth 475 mijë kontrolle bazë në vit. Në rast se nuk i plotëson, diferenca paguhet nga shteti. Për momentin koncesioni është i pezulluar, për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19.