Pas reagimit të ashpër në media për faktin që emisioni “Me zemër të hapur” pretendohet se transmetoi pamjet e abuzimit seksual të 15-vjeçares, para familjarëve dhe teleshikuesve, sot në fillim të emisionit, moderatorja dhe autorja e programit, Evis Ahmeti, u shpreh se “ishte i vetmi emision që bëri të mundur dy ditë maratonë zhvillimi të ngjarjes”.
Abuzimi i emisionit me përdhunimin e 15-vjeçares
“Të shtunën dhe të dielën të gjitha mediat raportuan abuzimin seksual ndaj një 15-vjeçare. Në fakt, i vetmi ky emision dhe ekrani i këtij televizioni bëri të mundur në dy ditë maratonë zhvillimi të emisionit ‘Me zemër të hapur’, ku ishin të pranishëm familjarët e 15-vjeçares.”
Përpos kësaj, ajo tha se “nuk transmetuan portretin e babait”, ndonëse në Facebook, në artikujt e publikuar nga emisioni, portreti i të atit të 15-vjeçares dukej qartë.
“Nuk shkuam kurrë në vendin ku banonte 15-vjeçarja, nuk zbuluam kurrë asnjë detaj të saj, as portretin e babait dhe as të vëllait të saj, edhe pse pa të drejtë kjo media u sulmua, të paktën arritëm një qëllim.”
Sipas saj, emisioni arrit një “qëllim shumë i vogël”, por u arrit diçka.
“U arrit diçka. Vajza u hoq nga ambienti familjar. Drejtori i shkollës ku ka studiuar vajza u shkarkua. I vetëm ky emision, edhe pse u përbalt, arriti një qëllim shumë të vogël, por ndërkohë ju siguroj që kanë mbërritur të dhëna të tjera me skandalin e asaj shkolle.”
Në këtë pikë është e paqartë nëse ato çfarë Ahmeti i quan arritje janë produkt i punës së emisionit, apo procedurë që ndiqet në të gjitha rastet e ngjashme. Ajo shtoi se në emisionet në vijim do të ketë të tjera rrëfime nga nxënës të shkollës, që pritet të jenë të përfshirë në abuzimet seksuale.
Përsa i përket transmetimit të videove të abuzimit live në emision, Ahmeti nuk komentoi.
“Atë që nuk e bëjnë autoritetet shtetërore e bën vetëm një media. Unë do ta vazhdoj thellimin e këtij skandali në ditët në vijim me shpresën që këto vajza nuk do të tërhiqen nga presioni i madh mediatik dhe shtetëror.” – tha ajo.