Qeveria ka hedhur sot poshtë akuzat që ish-Kryeministri Sali Berisha bëri dje për dekoderat e transmetimit dixhital. Sipas qeverisë, dekoderat do të jenë për familjet që nuk i blejnë dot pajisjet dixhitale, me qëllim që qytetarët të mund të informohen nëpërmjet televizioneve pasi këta të fundit do të dixhitalizohen të gjithë. Sipas qeverisë, strategjia për kalimin nga transmetime analoge në transmetime numerike kërkon të parashikohet subvencionimi për një pjesë të popullsisë.
Në seancën e djeshme të Parlamentit, Berisha akuzoi Qeverinë se po favorizon kompaninë “Digitalb” duke i akorduar 3 milionë euro me justifikimin se po blen dekodera të transmetimin dixhital për t’iu shpërndarë më pas familjeve në nevojë.
Nëpërmjet portalit “transparenca.al” qeveria thekson se, “Nëpërmjet VKM-së nr. 758, dt. 16.09.2015 “Për ngarkimin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për kryerjen e procedurave të prokurimit për pajisjen me dekodera të familjeve në nevojë përfituese nga skema e ndihmës ekonomike”, garantohet e drejta kushtetuese e çdo qytetari shqiptar për tu informuar nëpërmjet mediave audiovizive edhe mbas dixhitalizimit të plotë të tyre”.
Sipas qeverisë, “strategjia për kalimin nga transmetime analoge në transmetime numerike kërkon të parashikohet subvencionimi për një pjesë të popullsisë, duke dhënë vlera orientuese të shpenzimeve të nevojshme për disa skema subvencioni. Rreth 84 mijë familje në nevojë, përfituese të skemës së ndihmës ekonomike, do të pajisen me dekodera (konvertues të sinjaleve analogë në sinjale numerikë) për të pasur akses të plotë në transmetimin e informacionit nga media audiovizive”.
Duke hedhur poshtë pretendimet e Berishës se, në këtë proces po favorizohet kompania “Digitalb”, qeveria nënvizon se, “dekoderat, të cilët do të shpërndahen qytetarëve në nevojë do të jenë të tipit bazë dhe në asnjë mënyrë nuk do të jenë të pajisur me pajisje përshtatëse për dekodera me pagesë”.
Ndërkohë, vijon qeveria, “shuma e vënë në dispozicion nga buxheti për të bërë të mundur pajisjen me dekodera të 84 mijë familjeve në nevojë është 350 milionë lekë, pra 2.5 milionë euro në total. Pajisja tërësore e familjeve ne nevojë ekonomike me dekodera do të realizohet ne periudhën nëntor-dhjetor 2015 si dhe gjatë vitit 2016”.
Sali Berisha për dekoderat e transmetimit dixhital:
Në seancën e djeshme të Parlamentit, deputeti Sali Berisha akuzoi Qeverinë se po favorizon kompaninë “Digitalb” duke i akorduar 3 milionë euro me justifikimin se po blen dekodera të transmetimin dixhital për t’iu shpërndarë më pas familjeve në nevojë.
Marrë nga BalkanWeb