Të ndjekësh audiencën apo ta orientosh atë. Përballja e dy modeleve “të kundërta”, Top Channel, që refuzon telenovelat për t’u përqendruar te prodhimet e veta dhe pranon humbje, që sipas tij janë afatshkurtër dhe Klan, që ka shtuar transmetimin e prodhimeve turke në ‘prime time’, si një mjet për të fituar audiencë, por nuk ka hequr dorë as nga prodhimet e veta, që dhe ato kryesojnë me audiencë…
Top Channel: Konkurrenca e telenovelave është afatshkurtër, do të shtojmë prodhimet tona
Që kur hyri fort në treg, më se një dekadë më parë, Top Channel ka arritur të imponohet në tregun mediatik, duke bërë jo vetëm revolucion në teknologji, por dhe në programacion, për të qenë në pararojë të sjelljes konsumatore dhe zakoneve të tregut të një kombi.
Edhe sot, kur audienca po “goditet” nga përhapja masive e telenovelave turke dhe të Bollywood, drejtuesit e Top Channel ndihen të qetë me modelin që ata kanë zgjedhur për televizionin më të madh në vend si nga punësimi (aktualisht TCH ka në total rreth 700 të punësuar) ashtu dhe të ardhurat (për vitin 2013 kompania ka raportuar 1.76 miliardë lekë të ardhura).
“Do shkojmë drejt Lindjes apo Perëndimit! Çfarë përfitojmë duke shkuar drejt Bollywood!? Ne kemi parë gjithnjë drejt Perëndimit”, thotë zv.drejtori i përgjithshëm i TCH, Skerdi Drenova. Top Channel ka produkte të një niveli perëndimor, si ‘Big Brother’, ‘The Voice, Mastershef’, ‘Albanians Got Talent’. “Ky është vizioni ynë që në themelet e ngritjes së kompanisë, për të dhënë më të mirën. Është dhe rruga më e vështirë, por që në fund të fundit na çon tek ajo që njerëzit të ndihen krenarë për këto produkte”. Për më tepër që janë produkte që realizohen me stafe shqiptare, që zhvillojnë të ardhmen e kreativitetit në Shqipëri. “Vetëm te programet e ‘Portokalli’ dhe ‘Big Brother’ janë të punësuar 200 persona”, thotë Drenova.
Ai kujton se dikur RAI në Itali edukonte shikuesit të bëheshin konsumatorë përmes promovimit të stilit modern të jetesës. “Ne nuk kemi qenë treg konsumator. Duhet të ofrosh produkte që të japin konsum. Telenovelat e Bollywood nuk japin perspektivën që tregu të zhvillohet, e bëjnë atë jo konsumist”.
Jo telenovela, por prodhime
Ndonëse ishin të parët që “eksperimentuan” me telenovelat e Amerikës Latine vite më parë, që rezultuan të suksesshme (kujtojmë “Klonin”, apo “Kur ti të jesh e imja”), Top Channel hoqi dorë shpejt nga modeli ku kapja e audiencës bazohej në programe të blera. “Në atë kohë nuk kishim fuqi financiare të dilnim me prodhimet tona”, thotë Drenova. Ndërsa më pas, televizioni u fokusua në produktet e veta, duke u rezistuar ofertave që ata i merrnin të parët nga produksionet turke apo indiane.
Drenova thotë se ata i kanë rezistuar edhe tundimit për të transmetuar telenovela në prime time, ndonëse kanë pasur seriale të suksesshme si “Vejusha e Zezë”, “Pablo Escobar”, apo “Borgia”, që do ta kishin audiencën e garantuar. Por, ato janë zgjedhur të transmetohen në orare të vona, duke ia lënë prime time prodhimeve të veta. Një tjetër arsye që janë transmetuar vonë lidhet edhe me nivelin e lartë të dhunës që përmbajnë këto telenovela, çka nuk mungon as në disa seriale turke që transmetohen në prime time. “Shqipëria nuk ka nevojë për modele të tilla”, thotë Drenova.
Perceptimi që drejtuesit e televizionit kanë pasur gjithmonë për markën (imazhin) nuk i përfshijnë elemente të tilla, teksa televizioni synon të krijojë standarde, pavarësisht kostos që kjo mund të ketë në afatin e shkurtër, por që jep rezultate në afatin e gjatë.
Drenova thotë se tendenca më e re e televizionit do të jetë prodhimi i serialeve shqiptare, që pasqyrojnë jetën reale dhe sjellin zhvillim.
Në linjë me zhvillimet teknologjike, Top Channel synon atë grup të synuar që ndjek ndryshimet edhe përtej televizionit tradicional, duke diversifikuar mënyrën se si përqaset te klienti. “Sot, faqja e internetit ka arritur 210 mijë klikime në ditë dhe po shkojmë në 1 milion ndjekës në Facebook. Shkojmë ne te teleshikuesit kur do ai dhe si do ai”.
Nuk ka rënie në të ardhurat nga reklamat
Marrjen e audiencës përmes telenovelave, Drenova e quan si një dështim të konkurrencës për të konkurruar nëpërmjet programeve, ndërsa është i bindur se kjo do të jetë afatshkurtër. “Telenovelat nuk krijojnë besnikëri”, – thotë ai, ndërsa klientët janë në kërkim të produkteve të mira dhe u kthehen atyre.
Audiencën e lartë të telenovelave në vend ai e lidh me të qenët vend i varfër. Telenovelat kanë qenë mjaft të suksesshme në vendet e Amerikës Latine, po janë të zhvilluara dhe në Indi, Turqi etj. Ato funksionojnë në vendet e varfra, ku ka probleme të shumta sociale dhe ekonomike. Publiku harron hallet e veta dhe fillon e zhytet në jetën e të tjerëve.
Alma Mera, drejtoreshë marketingu në Top Channel, pohon se ata nuk kanë parë rënie të të ardhurave për shkak të zhvendosjes së një pjese të audiencës. Kryesisht telenovelat ndiqen nga njerëzit me të ardhura të ulëta dhe të mesme, që konsumojnë më pak, ndërsa Top Channel synon audiencën që është më e lakmuara nga reklamuesit. “Numrat që duken se kanë ndryshuar duhen parë me domethënie. Sa eficiente janë fushatat, sa i segmentojnë ata që blejnë”, thotë Mera. Ajo shton se nga përvoja e vendeve të rajonit, të cilat kanë transmetuar telenovelat turke më herët sesa Shqipëria, interesi i reklamuesve ka marrë tashmë kurbën rënëse.
Sërish në pararojë të ndryshimeve, drejt “tv on go”
Në linjë me zhvillimet teknologjike, Top Channel synon atë grup të synuar që ndjek ndryshimet edhe përtej televizionit tradicional, duke diversifikuar mënyrën se si përqaset te klienti.
“Sot, faqja e internetit ka arritur 210 mijë klikime në ditë dhe po shkojmë në 1 milion ndjekës në Facebook. Shkojmë ne te teleshikuesit kur do ai dhe si do ai”. Edhe ndjekësit e programeve ne you tube janë një indikator audience, sipas drejtuesve të Top Channel. Ka pasur programe, që nuk janë hedhur në “you tube” dhe reagimi i audiencës ka qenë i lartë, duke kërkuar që ato të jenë në internet.
Drenova thotë se ata i bëjnë ndryshimet në avancë, jo kur kanë ndodhur. Tendenca e fundit është “Tv on go” (OTT-over-the-top content)[1], popullariteti i të cilës po rritet ndjeshëm në botë mes shikuesve të moshës së re dhe që i referohet transmetimit të audios, videos dhe mediave të tjera përmes internetit. Mediat amerikane janë të parat që po orientohen drejt kësaj tendence.
Flet Albert Dumani, drejtor i Programacionit në TV Klan
Me prodhimet e veta, që transmetohen prej një kohe të gjatë (“E diela shqiptare”, “Opinion”, “Zonë e lirë”, “Takimi i Pasdites”, etj.), TV Klan ka arritur të krijojë një audiencë të qëndrueshme, që konkurron programe të ngjashme në kanalet e tjera televizive. Strategjia e transmetimit të telenovelave turke dhe indiane, disa prej tyre në prime time, i dha një tjetër hov këtij televizioni, që tashmë kryeson në audiencë. Albert Dumani, drejtor i Programacionit në TV Klan, flet lidhur me modelin e ndjekur nga televizioni dhe planet për të ardhmen.
TV Klan rezulton me një audiencë të rritur në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sidomos në prime time në fundjavë, për shkak të shikueshmërisë së lartë të telenovelave turke. Pse ka ardhur kjo zgjedhje, duke hequr dorë nga prodhimet tuaja?
TV Klan është me audiencë më të lartë ditore dhe në prime time gjatë gjithë javës jo vetëm në fundjavë. Kjo thjesht për saktësim shifrash. Prodhimet e TV Klan si “Aldo Morning Show” çdo mëngjes me tre orë emision live, është më i ndjekuri. Po ashtu, pasdite, emisioni tjetër i përditshëm “Takimi i pasdites”. Duke kaluar në prime time, nga e hëna në të enjten, emisioni “Opinion”, është absolutisht më i ndjekuri. Të premten “Zonë e lirë” po ashtu, më i ndjekuri në fashën me oraret përkatëse. Nuk kemi hequr dorë nga prodhimet tona. Deri më 8 shkurt, ne të shtunave në mbrëmje transmetonim spektaklin talent-show “Gjeniu i vogël”. Pas përfundimit të tij prej 14 javësh, seriali “Diamante dhe dashuri” filloi të transmetohet edhe të shtunave në mbrëmje, jo vetëm të dielën. Pra është një ditë më shumë, teksa përgatitemi për spektaklin e radhës “Made in TV Klan”. Të shtunën në prime time, 20:00-21:00, ka program të prodhuar nga TV Klan “Jo vetëm modë”. Po ashtu, gjatë javës, në prime time para emisionit “Opinion”, edhe seriali “Shtëpiake të dëshpëruara” arrin shifra të kënaqshme duke mundur programe të tjera në televizionet e tjera. Për sa i përket prime time të së dielës, sezoni televiziv ka nisur me serial në prime time, që në shtator me serialin super të ndjekur “Kurti dhe Sura”, i cili pas përfundimit, u pasua nga një tjetër serial shumë i ndjekur dhe i pëlqyer “Diamante dhe dashuri”. Talent-show “Dance with me” startoi të hënave dhe kjo ishte një strategji e jona për konkurrencë mes televizionesh dhe TV Klan ishte gjithmonë i pari në shifra audience. Dhe e hëna do të vazhdojë të mbetet edhe dita e transmetimit e këtij spektakli. Ishte zgjedhja jonë që të dielave në prime time të shfaqnim serialet më të ndjekur turq dhe zgjedhja jonë doli e suksesshme, përderisa këto seriale po konkurrojnë dhe madje shikohen më shumë se programet e prodhuara nga vetë televizionet konkurrente. Të mos harrojmë që të dielën, TV Klan prodhon një program gjigant me 6 orë transmetimi live maratonë “E diela shqiptare”, nga ora 13:30 – 19:30. Edhe të dielën, në shkurt-mars ne transmetuam reality-n e vetëm të dasmave “Lufta e nuseve”, të dielave, nga ora 20:00–22:00, me shifra rekord audience. Serialet turq që kam përzgjedhur janë prodhime shumë cilësore dhe që preferohen nga publiku shqiptar. Pra struktura jonë programore, jo vetëm që plotëson dhe kënaq shijet e publikut, por është edhe e suksesshme në tregun e televizioneve në Shqipëri. Për ta mbyllur këtë pyetje, TV Klan është televizioni që ka prodhimtarinë më të madhe në Shqipëri me emisionet apo spektaklet që prodhon.
Si e shpjegoni shikueshmërinë e lartë për telenovelat, ato turke, por edhe “Bidai” që rezulton programi më i ndjekur në Shqipëri dhe sa edukative mendoni se janë këto telenovela?
Në SHBA, Europë apo Turqi dhe Indi, së fundmi prodhohen me dhjetëra e qindra seriale dhe telenovela. E rëndësishme është të dish çfarë titulli të përzgjedhësh dhe të blesh për ta shfaqur për publikun shqiptar. Shifrat e audiencës flasin vetë, që prodhimet e huaja që shfaqen në TV Klan, kanë qenë dhe janë super të ndjekur. Titujt amerikanë të blerë nga ne kanë qenë absolutisht më të mirët në të gjithë botën dhe në Shqipëri si “Dr.House”, Greay’s Anatomy”, “Csi Ny”, “Sex & the city”, “The good wife”, etj. Suksesi i serialeve turke qëndron sepse edhe ata janë realisht prodhime televizive shumë të arrira artistikisht. Serialet turke po konkurrojnë tashmë me ato amerikane. Kanë skenarë të mirë, regji, shesh-xhirime, muzikë dhe aktorë profesionistë. Temat e tyre janë shumë më afër mentalitetit dhe jetës së shqiptarëve, prandaj pëlqehen nga publiku shqiptar. Suksesi i serialeve turke, nuk është vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera në Ballkan e Europë si Bullgari, Kroaci, Maqedoni, Greqi, Pragë, Kosove etj. P.sh. “Kurti dhe Sura” është blerë për t’u shfaqur edhe në Itali, sepse është një serial i jashtëzakonshëm në regji, skenar, aktrim dhe kolonë zanorë. “Shtëpiake të dëshpëruara” është një serial turk i përshtatur nga version origjinal amerikan, dhe kompania amerikane “Walt Disney” krijon një version turk, duke parë suksesin e tyre ndërkombëtarisht. “Bidai” është seriali indian më i ndjekur në të gjithë botën. Është seriali më i shitur në të gjithë botën dhe me shifra rekord audience aktualisht në Rumani, Bullgari, Maqedoni, pa përmendur mbi 100 shtete që e kanë transmetuar deri në SHBA. Për herë të parë në Shqipëri shfaqet një serial indian me shumë ngjyra, muzikë dhe histori argëtuese. Është një program televiziv argëtues që shoqëron pasditet e publikut shqiptar. Nuk është një libër shkollor që të edukohesh prej tij, por është një prodhim artistik që të argëton dhe të bën të kalosh një kohë të këndshme, duke e ndjekur. Të edukon në lidhje me njohuritë për një vend të ri, një kulturë tjetër dhe mëson tradita të ndryshme apo të afrueshme me ato të një publiku përkatës. Një serial që është një dritare më shumë, për të njohur marrëdhëniet apo kulturën e një vendi interesant si India. Edukon për vlerat e martesës, familjes, marrëdhëniet nënë e bijë, midis motrave, midis krushqive, apo për paragjykimet për shkak të ngjyrës së lëkurës. Një serial apo telenovelë është si çdo program tjetër televiziv i prodhuar apo i blerë nga televizioni që informon, argëton apo edukon publikun që e ndjek. Nëse të pëlqen diçka në televizor dhe kënaqesh duke e parë, kjo është arritja e një televizioni, të ofrojë prodhime të ndjekura dhe të bëjë për vete sa më shumë teleshikues.
Sa % të programacionit zënë prodhimet tuaja dhe sa ato të blera?
75% janë prodhime të TV Klan dhe 25% prodhime të huaja të blera.
Cilat janë planet tuaja në të ardhmen, në drejtim të programacionit?
Do të vazhdojmë të sjellim programet më të ndjekur si ato që prodhojmë vetë, ashtu edhe ato blera. Do të vazhdojmë të jemi televizioni më i ndjekur dhe me rekord në prodhimtari. Në shtator do të kemi spektakle të reja dhe tituj të rinj ndërkombëtarë, përveçse atyre programeve që janë prej vitesh tashmë në strukturën vjetore të TV Klan. Thjesht publiku do të vazhdojë të qëndrojë besnik me ekranin e tyre të preferuar.
Telenovelat turke, pse kanë audiencë të lartë
Flet Alban Tartari, doktorant i medimueve turke
Duke ndjekur gjithë historikun e shkurtër 4-vjeçar të telenovelave turke në ekranet shqiptare, mund të thuhet se ato janë “moda e momentit”. Ashtu siç për vite me radhë, telenovelat latino-amerikane ishin më të ndjekurat, tashmë vendin e tyre e kanë zënë telenovelat turke. Ajo që përbën çudi është që këto telenovela po arrijnë edhe më shumë shikueshmëri sesa produksionet amerikane dhe ato italiane. Këto të fundit kanë qenë produksioni më tërheqës për shqiptarët që nga vitet ‘80, kur Shqipëria ishte nën komunizëm.
Por, përse ndiqen kaq shumë këto telenovela turke. Mendoj se ka disa arsye.
-Ato kanë zgjedhur modelin amerikan të produksionit. Pra, kanë një skenar të mirë, kanë xhirime profesionale, kanë një vijë logjike të ngjarjes. Në këtë pikë, ato ndryshojnë nga situatat artificiale të telenovelave latine.
-Këto telenovela vijnë nga një kulturë, e cila nuk është e largët me kulturën e Ballkanit në tërësi dhe Shqipëri-Kosovës në veçanti. Afrimiteti mes kulturave e bën më të afërt atë që ne shohim në TV, e bën më të prekshme dhe rrjedhimisht shumë persona gjejnë në to edhe situata e probleme të tyre të përditshme.
-Një element tjetër i suksesit të tyre është përzgjedhja. Çdo vit në Turqi prodhohen 60 deri në 100 seriale. Por vetëm pak prej tyre dalin jashtë kufijve të Turqisë dhe, edhe më të paktë janë ato seriale që shkojnë në vende specifike. Pasi zgjidhen tema që mund të pranohen nga shoqëria e atij vendi.
Po ashtu shumë tema janë të afërta me klasikët ndërkombëtarë apo me vepra të tjera të njohura. Për shembull, seriali Ezel, nuk është gjë tjetër veçse një bashkim i historisë shekspiriane të Romeos dhe Zhuljetës, Kontit të Monte Kristos së Dymasë etj…
Ndikimi i tyre është i madh:
1- Ato sjellin një imazh të ri të Turqisë, tërësisht i panjohur në Ballkan
2- Sjellin afrimitet me Turqinë, duke shtuar numrin e turistëve tanë që shkojnë atje (madje ka ture të agjencive që të çojnë në setet e xhirimit të telenovelave)
3- Gjuha turke po pranohet si një gjuhë rajonale ndërkohë që 10 vite më parë as që mendohej një gjë e tillë.
[1]Shpërndarja e Videos dhe Audios nëpërmjet internetit me bandë të gjerë pa pasur nevojen e një operatori me sistemin e mulipleksimit (iptv). Shperndarja e kontentit vjen direkt nga ofruesi tek përdoruesi. Kjo është në kontrast me sistemet aktuale të rentimit të kontentit apo blerjes së saj të sitemeve aktuale video on demand apo ITPV.