Të dielën mbahen zgjedhjet vendore në vendin tonë, ku pritet të zgjidhen 61 kryebashkiakët e rinj.
Top Channel do të transmetojë direkt gjithçka që ndodh në të gjitha bashkitë e vendit në një maratonë të gjatë televizive, e cila nis në orën 07:00 të mëngjesit.
Këto zgjedhje u paraprinë nga një situatë e pazakontë politike kur opozita ishte e përçarë dhe socialistët të vetëm kërkojnë rikonfirmimin në pjesën më të madhe të bashkive. Por dhe disa incidente dhe raste që tregojnë se “sëmundja e vjetër” e shitjes së votave nuk ka marrë fund.
Dhjetëra gazetarë, kameramanë dhe staf ndihmës janë të shpërndarë në të gjithë vendin, të cilët do të ndjekin çdo ngjarje e do të shkelin në çdo bashki për të sjellë sa më shpejt dhe sa më saktë lajmin e fundit.
Përgatitjet e zgjedhjeve po vazhdojnë dhe KQZ është duke u shpërndarë bazën materiale komisioneve zonale nëpër bashki.
Sipas të dhënave të KQZ-së, ka përfunduar shpërndarja e bazës materiale në Kolonjë, Gramsh, Pustec. Në qarkun e Gjirokastrës ka përfunduar shpërndarja, përveç Dropullit.
Gjithashtu ka përfunduar shpërndarja në Berat, Fier dhe Korçë, përveç Pogradecit, i cili është ende në proces. Në disa prej tyre ka patur probleme me formimin e komisioneve.
Nga ana tjetër, procesi i shpërndarjes ka nisur me vonesë në Durrës, Shijak dhe Krujë. Nga 61 bashki, tri prej tyre, Vorë, Kamzë dhe Elbasan do të ketë votim dhe numërim elektronik.
Nga 61 bashkitë e vendit, në tri prej tyre, Vora, Kamza dhe Elbasani do të ketë votim dhe numërim elektronik dhe rezultati pritet të dalë 30 minuta pas përfundimit të votimit të qytetarëve.
Marrë nga top-channel.tv