Informacioni në Top Channel mbyll sonte një fazë të rrugëtimit të tij të sapo nisur, duke lënë pas në piramidë një pjesë të historisë, edhe pse një pjesë e Top Channel do vazhdojë të qëndrojë në piramidë.
14 vjet janë në një studio, ku nisi edicioni i parë i lajmeve, i cili nga ajo natë u bë dritarja kryesore e informimit për publikun shqiptar.
Në pranverën e vitit 2001, kurajoja dhe mendimi i një arkiteki mediatik do të shënonte fillimin e një revolucioni të medias vizive në Shqipëri. Televizioni atë kohë nuk ishte asgjë më shumë se një nga dëshmitë e realitetit në të cilin ndodhej vendi dhe shoqëria në tërësi.
Por, Dritan Hoxha nuk kishte në plan të ecte më ritmet e ekonomisë së vendit. Ai donte t’i paraprinte asaj dhe të shndërrohej në një udhërrefyes. Shqipëria kishte humbur shumë kohë, ndaj dhe Dritan Hoxha ndezi motorët e një makinerie që nxitoi të kapte kohën e humbur, jo prej tij, por prej të gjithëve, duke ndertuar Top Channel.
Lajmi i parë denonconte marrjen e rërës në Plazhin e Gjipesë, në bregun e jugut nga një anije greke me lejen e qeverisë shqiptare. Nga kjo studio do të merrnin udhë lajme dhe reportazhe investigative e denoncuese.
Fshatarët që nuk kishin ujë për vaditje, tregtarët që nuk kishin ku të shisnin prodhimet, nxënësit që nuk kishin libra e banka shkolle, pyjet që digjeshin e lumenjtë që shkatërroheshin, kontrabanda që gërryente financat e shtetit, kriminaliteti dhe korrupsioni, emigrantët në rrugëtimin e tyre të mundimshëm, histori njerëzore që denonconin indiferencën e Qeverisë dhe histori që himnizonin kurajën e guximin njerëzor. Nga studio e piramidës u apelua për ndihmë edhe nga dhjetra shqiptare që po luftonin me vdekjen në det në datën 9 janar 2004.
Por jo vetëm kaq! Të etur për ta parë ndryshe këtë vend, njerëzit që bënë Top Channel-in sollën në ekranin e tyre çdo gjë të mirë dhe të bukur që hodhi rrënjë në Shqipëri.
Në vitin 2005, në 19 dhjetor dhe pikërisht katër vjet nga transmetimi i parë, Top Channel nisi informimin nga një tjetër studio, ku nisi edhe edicioni sonte, nuk ku ne ju kemi informuar çdo ditë e çdo natë mbi gjithçka që ka ndodhu në Shqipëri e jashtë saj.
Kjo studio përmban historinë e Shqipërisë së 10 viteve të fundit, në krah të qytetarit dhe kundër arrogancës së pushtetit, duke u përballur edhe vete me këtë të fundit. Kjo studio u bë dëshmitare e tragjedisë më të rëndë; asaj të Gërdecit, në një maratonë që përcolli dhimbjen te miliona shqiptarë,e ngjarjeve të tjera të vështira, si 21 janari i 2011. Kjo studio ishte edhe dëshmitare e momenteve të rëndësishme e historike të Shqipërisë, nga anëtarësimi në NATO, vizita e parë e një Presidenti amerikan në Tiranë, 100-vjetori i pavarësisë deri te vizita e Papa Françeskut një vit më parë, pa llogaritur sa e sa orë transmetim në shërbim të publikut me maratonat zgjedhore dhe çdo ngjarje tjetër.
Top Channel nuk investoi thjeshtë fjalën e fundit të teknologjisë në fushën televizive, por krijoi standardet e para të medias vizive në Shqipëri, duke i imponuar tregut mediatik, jo vetëm cilësinë e zërit dhe figurës, por mbi të gjitha cilësine e lirisë së fjalës dhe demokracisë.
Sot media, apo pushteti i katërt, në Shqipëri është më i besueshëm se drejtësia, legjislativi apo ekzekutivi. Sot shumica e shqiptarëve e shikojnë median si faltoren më të rëndsishme për të denoncuar padrejtësinë dhe korrupsionin dhe duhet ta pranojmë se ky është një piedestal ku këtë pushtet e ngritën ambiciet dhe puna e medias që themeloi Dritan Hoxha.
Sot lajmet në Top Channel mbyllin një pjesë të shkurtër të rrugëtimit të tij dhe nis një tjetër të re në udhën e gjatë që ka përpara. Informacioni që mori jetë në një ndërtesë, që dikur ishte muzeu i dikatorit Enver Hoxha, e zhvendos aktivitetin e tij në një mjedis krejt të ri e modern, në një hapësirë ku prej muajsh punohet ditë e natë për ndërtimin e një studioje të re, ku teknologjia është sërish disa hapa përpara, për të treguar se ku duhet të shkojmë.
Programet e vjetra dhe të rejat që marrin jetë këtë sezon, kanë të gjitha diçka të re këtë vit, megjithatë është sërish Top Channel…
E njëta media! I njëjti mision! E njëjta ëndërr…dhe ambicie që vazhdon, por që do të ecë pak më shpejt, për të fituar sërish kohë mbi kohën.
/ Top Channel