Flet Vjollca Dedei, Drejtore e Programacionit në Top Channel
Programacioni në televizione është gjithmonë nën presionin e prodhimeve sa më cilësore, plotësuar nga blerjet. Vjollca Dedei, Drejtore e Programacionit në Top Channel, në një intervistë për “Monitor”, nënvizon se të paktën 78% e programacionit në Top Channel janë prodhime të vetë televizionit, një standard ky botëror.
Ajo nënvizon se teksa audienca po bëhet më sqimatare për të kërkuar prodhime më cilësore, Top Channel vjen në këtë sezon televiziv me një sërë risish që janë produkt i anketave të zhvilluara me qytetarët për atë çka duan të shohin në ekran. Dedei nënvizon se janë një seri programesh ekzistuese të rishikuar, në funksion të objektivit për të qenë më afër teleshikuesit, ashtu siç ka programe të reja e blerje nga kompanitë më të mëdha kinematografike të Hollywood.
Çfarë ofron Top Channel në këtë sezon të ri për teleshikuesit, pra cilët janë emisionet e reja që shtohen dhe ato ekzistuese?
Top Channel është shtëpia prodhuese më e madhe në Shqipëri. Për këtë është e natyrshme që nuk rresht së ofruari gjithmonë. Suksesi i një televizioni matet me programet në terren, që sjellin jetë e shqetësime nga e gjithë Shqipëria. Me një afërsi janë gati 10-13 orë prodhime në javë, mbështetur e realizuar me informacione të terrenit. Në sezonin e kaluar, Top Channel bëri një hop të guximshëm, duke sjellë 11 programe premierë dhe duke e kthyer atë në kanalin ku programet premierë nuk ndalen, fillojnë nga ora 7:00 e mëngjesit deri në orën 01:00 të mëngjesit.
Pra 75% e të gjithë programit tonë është premierë, vetëm 6 orë të natës janë ritransmetime. Pas këtij ndryshimi, në këtë sezon të ri, qëllimi dhe fokusi kryesor është konsolidimi i 31 programeve premierë të Top Channel. Nuk besoj se ka ndonjë televizion tjetër që ka këtë prodhimtari në Shqipëri. Pra, në këtë sezon po punohet fort për të sjellë elemente e risi në këto programe, për t’i bërë më të dashur për shikuesit, për të sjellë më shumë informacion, për t’u argëtuar së bashku, për t’ju përgjigjur më mirë shikuesve, gjithçka e ndërtuar nga anketimet e bëra. Ndonëse, po punohet fort për këtë, nga skenografitë e deri tek autorët e prezantuesit, një tjetër ndryshim i Top Channel është struktura e tij programore, duke u kujdesur në mënyrë të veçantë për “target groups” dhe duke sjellë disa ndryshime të pashënuara më parë.
Kështu, “Wake Up” ka një shtrirje kohore 07:00 – 10:00, duke filluar me informacione të domosdoshme, në intervista me tema të dedikuara dhe për të kaluar ëmbël në orën e fundit drejt shikuesve të paradites (shtëpiake, etj.) me tema më të lehta. Programi ynë i mëngjesit “Në Shtëpinë Tonë” gëzon një orar tjetër 12:30 – 15:00, nisur nga “target group” i këtij programi. Show aq i ndjekur “Soiree”, pas suksesit në sezonin e parë, do të fillojë në orën 21:00 por të mërkurën, për të mundësuar ndjekjen e tij nga të gjithë. “Top Story”, një nga programet e reja më të suksesshme do të jetë çdo të martë, në orën 21:00. Më shumë hapësirë kohore do të ketë për programin “Hipokrati”, i ndërtuar aq bukur, për më shumë informacion e kujdes për shëndetin tonë. Dhe të mos harrojmë show-n argëtues e familjar “E Diell”, i cili do të jetë me ju në transmetim gjatë gjithë pasdites, nga ora 15:30 – 19:30, duke sjellë shumë risi.
Më kryesorja në strukturat programore është konceptimi i ri në lidhje me serialet premiere. Sikurse asnjëherë më parë, do të përfshijmë në strukturën tonë, nga e mërkura në të shtunë, çdo mbrëmje në orën 23:00, seriale të suksesshëm, më të mirët në tregun botëror. Po jo vetëm kaq, Top Channel ka krijuar një hapësirë të re për telenovelat premierë, ku nga e hëna në të premte do të ketë dy episode të saj, nga ora 10:00 – 12:00. Ndërsa “Soap Opera” do të vazhdojë të këtë orarin e saj nga ora 16:00 – 17:00.
Cili është raporti në programacion mes blerjeve dhe prodhimeve tuaja? Dhe cilat janë disa nga blerjet më të mira të këtij sezoni, për të cilat keni mbyllur kontratat? Si kanë ndryshuar kostot e programacionit dhe investimi që bëni ju si TV në këtë aspekt?
Raporti në programacion mes blerjeve e prodhimeve tona ruan standardin botëror – 78% prodhim dhe 22% blerje. Në 78% përfshihen dhe show-t, formatet e të cilave janë të blera, por janë prodhime të Top Channel. Kemi punuar gjatë në përzgjedhjen e blerjen e serialeve, telenovelave dhe formateve, flas gjithnjë për kontrata apo “deal memo” të mbyllura, po qofshin dhe negociata.
Kështu në lidhje me serialet që do të jenë nga e mërkura në të shtunë, ora 23:00, kemi mbyllur kontratën dhe fillojmë transmetimin të mërkurën në datë18 shtator, me kompaninë e fuqishme “Sony Pictures” për serialin “Damages/Dëmet” fitues i çmimeve Golden Globe, Emmy Awards e shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare, ku luan një ndër aktoret e jashtëzakonshme, 5 herë nominuar për “Oscar”, Glenn Close, apo një ndër aktoret e reja aq të suksesshme, Rose Byrne, dhe nuk po hyj në listën e pafund të aktorëve të shquar, pjesë e serialit. Është një serial ku secili shikon një pjesë të jetës sonë të përditshme, një serial ku përplasen pushteti, ligji dhe skandalet e korporatave të mëdha…
Në vazhdim kemi mbyllur kontratën për serialin e famshëm “El Chapo”, një prodhim origjinal i Netflix, mbështetur në jetën e një ndër bosëve famëkeq të karteleve të drogës… Rritja e tij nga një anëtar i thjeshtë në bosin e kartelit Sinaloa, rënia e tij dhe gjyqi i sapopërfunduar në SHBA. Marrëdhënia e tij me politikën dhe aktoren e famshme Kate Del Castillo… Kemi mbyllur “deal memo” për një serial aq të këndshëm, një “remake” e “Dynasty / Dinastia”, aq i ndjekur nga shqiptarët në kohën e komunizmit. Po punohet për mbylljen e negociatave për serialin e paparë “Black List” një bashkëprodhim i “Sony Pictures” me “NBC/Universal”, dy nga kompanitë më të mëdha të Hollywood-it. Ka edhe të tjera që radha u vjen më vonë.
Po të mos harrojmë telenovelat. Besoj të gjithë e mbajnë mend telenovelën e famshme “E shëmtuara Beti”, një dramady aq e suksesshme sa shumë shpejt u kthye në një ndër formatet më të shitura e të prodhuara në botë. Këtë herë është “Beti në Nju Jork”, një prodhim i vitit 2019, nga Telemundo / NBC / Universal. Kjo telenovelë fillon transmetimin e saj premierë në datë 23 shtator, nga e hëna në të premte, nga ora 10:00 – 12:00. Çdo ditë, dy episode. Pas kësaj telenovele do të vazhdojmë me një tjetër telenovelë, e prodhuar po nga Telemundo / NBC / Universal, “Who Is who / Kush është kush”, përsëri një dramady. Është mbyllur “deal memo” për dy telenovela të tjera në vazhdim nga prodhuesi më i suksesshëm i telenovelave, Globo TV. Nuk po përmend sezonet në vazhdim të serialeve “Riviera”, “Baroni i Zi”, “Gomorrah”, etj.
Por nuk dua të harroj formatet. Natyrisht që kontrata për formatin “Hell’s Kitchen/ Kuzhina e Djallit” është mbyllur me kohë dhe po punohet intensivisht për të sjellë një prodhim të jashtëzakonshëm nga dt.11 tetor, çdo të premte ora 21:00. Top Channel ka mbyllur “deal memo” për formatin e famshëm “Big Brother Celebrity” dhe ka bërë hulumtimin, përzgjedhjen dhe po negocion për një format që nuk është bërë më parë në Shqipëri, do të jetë vërtet një “boom” se Top Channel gjithmonë guxon për më të mirën.
Ku po orientohet audienca shqiptare sipas jush, për çfarë ka më shumë interes?
Nuk mund ta ndash me thikë që audienca shqiptare është e interesuar më shumë te prodhimet apo te serialet e telenovelat, sepse kjo varet dhe nga grupet e shikuesve. Audienca shqiptare shikon më shumë atë që e ndien veten pjesë të saj. Natyrisht është televizioni që udhëheq audiencën drejt standardeve më të mira e më të përzgjedhura. Për sa i takon audiencës shqiptare, preferencat anojnë më shumë për programet argëtuese, duke u ndjekur nga programet politike. Ndërsa në lidhje me zhanret, ka një përqindje të konsiderueshme që pëlqejnë melodramat e huaja, apo qoftë dhe prodhime vendase të kësaj fryme. Është gjithnjë në rritje përqindja e shikuesve më sqimatarë, në kërkim të prodhimeve më cilësore.
Po biznesi, si shfaqet në lidhje me interesin për reklamim. Ku preferohet të reklamohet, a ka interes në rritje apo në ulje?
Ka disa lloje qasjesh të biznesit. E para ka të bëjë me fashën e orarit që natyrisht dominon prime-time. E dyta ka të bëjë me cilësinë e shikueshmërinë e programit. E treta ka të bëjë me produktin që kërkon të reklamosh në varësi të audiencës që ndjek programin.
Marrë nga Monitor. Al