“Ndryshojmë”, kënga përfaqësuese e kantautorit të njohur shqiptar, Gjergj Leka, në Këngën Magjike, u pëlqeu shumë të gjitha vajzave e zonjave, por i hapi probleme Gjergjit me shokët e tij. Teksti që mori shkas nga “Gli uomini non cambiano” e Mia Martini-t është një mesazh i hapur për të gjithë meshkujt e sidomos ata shqiptarë që e kanë të vështirë të pranojnë se edhe ata gabojnë. Megjithatë, Gjergji nuk e pati aspak problem të përballej me miqtë e tij të ngushtë, sepse, e rëndësishme është që të gjitha femrat këngën e kanë pëlqyer.
Kështu tregon Gjergji nga studio e “Rudina” në Tv Klan, i ftuar pasditen e sotme duke besuar edhe te festivali Kënga Magjike dhe producenti Ardit Gjebrea.
Por nuk është vetëm Kënga Magjike projekti i ri i Gjergj Lekës. Së shpejti, ai ka edhe një projekt tjetër që do ta rikthejë në ekran si prezantues. Bashkë me miqtë e tij producentë, Gjergji deklaroi nga “Rudina” se është blerë një frekuencë që do t’i dedikohet një target grupi nostalgjik: nga 40 deri në 80 vjeç. Shumë shpejt, Tv Antenna, një kanal që ka për themelues dhe autor Lekën, do të nisë transmetimet më 4 dhjetor: “Është një Retro Tv, që do të ketë një target grup, nga 40 deri 80 vjeç. Çfarë do të përfshijë? Do të ketë filma nostalgjikë, Shigjeta e Zezë, Katani e shumë të tjerë si këta. Unë kam një arkiv shumë të mirë me video, koncerte të tëra nga emra të mëdhenj. Me këtë duam të kapin një target grup i cili mungon”, – tha Gjergj Leka.
Me këtë program, Gjergji synon të shkojë më pranë njerëzve të thjeshtë, amvisave dhe atyre që e duan artin. Ai thotë se e gjithë kjo eksperiencë është një aventurë e re, të cilën po e bën për qejf.
Retro Tv do të jetë një kanal 24 orë, me 3 edicione lajmesh, me programe për të rinj të talentuar, ata që nuk i bëjnë dot vetë klipet, do të ketë zërat e natës, me koncerte nga perlat e të gjithë botës. Të gjitha këto programe, tregon Gjergji, ai do t’i ketë me arkiv, madje, siç tregon, një pjesë të mirë të programeve të huaja, ai ka shkuar për t’i marrë të drejtat në Rai.
Një risi e këtij kanali do të jetë “Në shtëpinë e artistit”. Gjergji ka të ftuar në shtëpinë e tij artistë, miq të tij, me të cilët do të bisedojë, do të gatuajë dhe do të ndajë edhe shumë kujtime.