Fotografi të ndryshme, realizuar këtë të premte në Tiranë, tregojnë gjendjen e disa prej rrugëve të kryeqytetit, një ditë pas protestës së dytë të organizuar pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i Policisë. Një natë më parë, përveç sheshit para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë, protestuesit shkaktuan trazira edhe në rrugë të tjera, duke shkatërruar tabela të qarkullimit rrugor dhe kazanë plehrash. Dëme pati edhe në godinën e Muzeut Kombëtar dhe atë të Bibliotekës Kombëtare, por edhe në selinë e Partisë Socialiste.
Prej dy ditësh, protesta të shumta janë organizuar në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit, ku nuk kanë munguar edhe përleshjet me Policinë. Të enjten, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, dha dorëheqjen nga posti. Por në rrjetet sociale është paralajmëruar një tjetër protestë gjatë të premtes në mbrëmje.