Enti Rregullator i Ujit ka reaguar pas akuzave të Partisë Demokratike ndaj Veliajt, referuar deklaratave të këtij të fundit se çmimi i ujit në kryeqytet është më i ulet se në Pogradec dhe në Korçë.
Përmes një njoftimi zyrtar, Enti Rregullator i Ujit, ka konfirmuar deklaratën e Veliajt, ndërsa paraqet një listë me tarifat aktuale për shërbimet Ujësjellës Kanalizime në bashkitë e vendit. Lista vërteton qartë se çmimi i ujit në Tiranë është më i ulët se në Pogradec dhe në Korçë.
Madje, sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Enti Rregullator i Ujit, qytetarët e Tiranës paguajnë më pak edhe se Durrësi, Vora dhe Himara për shërbimin ujësjellës-kanalizime.
Çdo konsumator familjar, në faturën mujore paguan për ujin e pijshëm dhe trajtimin e ujërave të zeza, të cilat bëjnë shumatoren e çmimit që paguhet çdo muaj. Aktualisht, në Tiranë, çmimi për ujin e pijshëm është 65 lekë/m3 dhe 11 lekë/m3 për ujërat e përdorura (zeza). Pra, në total 76 lekë/m3. Në reagim thuhet se çmimi i ujit në qytetet si Korça dhe Pogradeci, me shumë herë më pak popullsi, kanë një çmim më të lartë.
Sipas të dhënave zyrtare të ERRU, por edhe duke i ballafaquar me faturat që aktualisht paguajnë qytetarët, në Korçë çmimi për ujin e pijshëm është 72 lekë/m3 dhe 42 lekë/m3 për ujërat e zeza. Në total, qytetari korçar paguan 114 lekë/m3 çdo muaj. Në Pogradec, çmimi për ujin e pijshëm llogaritet me 62 lekë/m3, kurse për ujërat e zeza 33 lekë/m3. Pra, në total, qytetarët e Pogradecit e paguajnë ujin në faturë me çmim 95 lekë/m3. Pra, siç shihet dhe nga tabela, qytetarët e Tiranës paguajnë 38 lekë/m3 më pak se banorët e Korçës dhe 19 lekë/m3 më pak se ata të Pogradecit.