Seksi dhe ndikimi që ka ai në shoqërinë e sotme shqiptare është tematika e filmit artistik “Tirana ‘14”, një komedi që pasqyron realitetin e sotëm të shoqërisë sonë me një stil virtual të mbushur me situata komike, batuta pikante, por edhe skena të nxehta.
Pikërisht lidhur me këto skena, paraqitja e shkurtër e filmit (traileri) që ka filluar të qarkullojë në YouTube, ka ngjallur reagime të shumta duke e etiketuar madje edhe një film erotik.
Mirëpo, regjisori i filmit, Edmond Mandro, thotë se ky film nuk është aspak një komedi erotike pavarësisht këtyre skenave. Sipas tij, këto skena e ndihmojnë filmin për të qenë sa më i vërtetë, larg klisheve të gjuhës filmike të cilën kemi trashëguar dhe peng i së cilës jemi edhe sot. Ai shton se nuk ka qenë aspak e lehtë për t’i xhiruar këto skena edhe pse mënyrat ishin shumë komode.
“Frika më e madhe e aktorëve janë paragjykimet që mund të shfaqen te të njohurit e tyre kur të shohin filmin duke qenë se ata do të shohin atë që u serviret në fund”.
Sipas tij, më i lirshmi në xhirime, ishte prezantuesi i njohur Arian Çani, i cili në film realizon një puthje franceze me një modele.
Në këtë komedi, e cila pritet të dalë më 5 qershor në kinematë e Tiranës, luajnë aktorë të njohur të humorit, si Genc Fuga dhe Gent Hazizi, Eni Jani, Ervin Bejleri, Ola Harizaj, Laura Nezha, Ola Harizaj, Ina Gjonçi, Azra Sallahi, Ledio Lako, Marin Orhanasi, Eglein Laknori etj.
Por ky film ka edhe një të veçantë tjetër e cila pritet që ta bëjë shumë të suksesshëm. Ai është bazuar mbi një formulë të veçantë, ku personazhet e trilluar ndërthuren me personazhe VIP të cilët futen në marrëdhënie me personazhet e fabulës me emrat dhe profesionet e tyre reale. Mes tyre, përkthyesi i njohur Edmond Tupja, psikologia Jorida Rustemi, këngëtarët Endri dhe Stefi, Frederik Ndoci, Sheila Haxhiraj, si dhe disa modelë e prezantues të njohur të ekraneve shqiptare si: Marina Vjollca, Aurela Hoxha, Arjon Muça, Franceska Jaçe, etj.