Në kohët e fundit, platforma TikTok është përballur me një valë videosh që kanë bërë bujë, jo për përmbajtjen e tyre të dobishme, por për banalitetin dhe gjuhën e papërshtatshme që përdorin. Përpjekjet e përdoruesve për të raportuar këto video shpesh kanë hasur në pengesa, pasi sistemi i TikTok nuk ka mundur të njohë dhe gjykojë përmbajtjet në gjuhën shqipe.
Megjithatë, një zgjidhje për këtë problem është arritur përmes një marrëveshjeje bashkëpunimi mes Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA) dhe TikTok. AMA, në rolin e saj si rregullator në industrinë e transmetimit dhe telekomunikacionit në Shqipëri, do të veprojë si ndërmjetës për të siguruar që përmbajtjet e dëmshme të fshihen nga platforma.
Kjo marrëveshje u bë publike nga kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, përmes një postimi në rrjetet sociale. Krasniqi ftoi qytetarët të raportojnë çdo postim që nxit dhunë, përmban gjuhë urrejtjeje, apo cenon të drejtat e fëmijëve dhe komuniteteve në një link të dedikuar nga AMA.
Kjo nismë shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një hapësire më të sigurt dhe miqësore për përdoruesit e TikTok në Shqipëri.