DEKLARATË E TIBO
Zgjerimi i platformës TIBO në tregun shqiptar ka nxjerrë në pah fytyrën e vërtetë të Digitalb dhe Top-Channel.
Prej muajit gusht dy mediat në fjalë kanë trazuar opinionin publik shqiptar me shpifje kinse TIBO transmeton në mënyrë pirate duke e ditur fare mirë se si qëndron e vërteta.
E vërteta ka në thelb kontratën e bashkëpunimit TIBO-Digitalb (2020-2029). Në maj 2021 kjo kontratë nuk u zbatua më në mënyrë të njëanshme nga Digitalb, që refuzoi të zbatonte edhe klauzolat për periudhën tranzitore.
Në respekt të abonentëve të saj parapagues, të cilët meritojnë shërbimin më të mirë të mundshëm, TIBO ka paditur Digitalb në Gjykatën e Tiranës dhe prej qershorit çështja është në gjyq. Por Digitalb kërkon t’i shmanget rrugëve ligjore dhe të diktojë tregun në mënyra të pandershme.
Në muajt gusht-nëntor ajo dhe Top-Channel trysnuan Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) të shkelë ligjin duke gjobitur TIBO-n për një çështje që është në gjyq. Ligji thotë qartë se asnjë institucion nuk ka të drejtë të pranojë për shqyrtim një mos-marrëveshje që është duke u shqyrtuar në gjykatë.
Pas kësaj TIBO sqaroi në një njoftim për shtyp të gjithë çështjen:
- E vërteta në çështjen TIBO-Digitalb, nga çfarë ka frikë Eglinor Ramaj?
Së fundmi Digitalb e Top-Channel janë rikthyer të sulmojnë TIBO-n me kronika e artikuj që synojnë të denigrojnë reputacionin e ndërtuar ndër vite të platformës sonë.
Në kronika ata thonë se “RTV 21”, “TV 21 Maqedoni”, “RTV Dukagjini”, “Kanal 10” dhe “Alsat M” i janë ankuar AMA-s se “TIBO transmeton pa leje kanalet e tyre”. Ankesa është bërë përmes “Artmotion shpk” e cila përshkruhet si “mbajtësi i vetëm i të drejtave të transmetimit”.
Duke u kërkuar ndjesë të gjithë abonentëve me këtë zhurmë të krijuar nga Digitalb, vijojmë të sqarojmë sa më poshtë:
- Transmetimet e këtyre kanaleve në TIBO vijojnë në bazë të klauzolës tranzitore të kontratës me Digitalb.
TIBO i dinte precedentët e Digitalb me ish-bashkëpunëtorët e tjerë, të cilët i ka lënë në baltë. Pikërisht për të mbrojtur mbi 20 mijë abonentët e saj që kanë parapaguar shërbimin përfshiu në kontratë një nen (Neni 5/2.1) që parashikonte periudhë tranzitore 1-vjeçare vazhdim transmetimi në TIBO edhe në rast prishjeje kontrate.
Pas prishjes së njëanshëm të kontratës nga Digitalb, TIBO respekton klauzolën në fjalë.
Për çështjen e kanaleve nga trevat shqipfolëse sqarojmë se në kontratën me TIBO, Digitalb ka nënshkruar në cilësinë e “mbajtësit të së drejtës së nën-licencimit të të drejtës së transmetimit” (kliko këtu për të parë “Aneksin” e kontratës) të këtyre kanaleve në territorin e Shqipërisë.
Digitalb madje zotohet “t’i sigurojë këto të drejta për TIBO-n”, por pasi nuk ka zbatuar më në mënyrë të njëanshme kontratën, – për të cilën ende nuk është shprehur gjykata – ajo po punon për të kundërtën.
Ndjejmë keqardhje që Digitalb e Top-Channel kanë bërë palë edhe kompaninë “Artmotion shpk” njësoj si AMA-n në lojën e pisët kundër konkurrencës së lirë në treg përmes denigrimit të operatorëve të tjerë.
A mos është kjo vallë gjoba e radhës e Top Channel dhe Digitalbit?