Albi Nako dhe emisioni “T’ka mami yll” ku u bullizua një nga konkurrentët vetëm se është e shëndetshme ka goditur fort opinionin publik dhe të shumtë kanë qenë reagimet edhe të personazheve të njohur.
Në një status në profilin e tij në facebook gazetari Mentor Kikia ka vënë në shënjestër koreografin Albi Nako për gjuhën e përdorur ndaj vogëlushes duke vënë theksin edhe tek realiteti dhe mungesa e ndërhyrjes së autoriteve përkatëse që lejojnë zhvillimin e formateve të tilla jo edukative.
Më poshtë reagimi i tij:
Ti nuk je yll, ti je thjeshtë një fëmijë i mrekullueshëm
Kjo vajzë e vogël është gjendur para një jurie që e kanë “vënë në lojë” sepse ajo është pak e shëndoshë. Por ka guxuar të shkojë në një show kërcimi, sepse “mami do që ajo të jetë yll”.
………………………..
“Pse erdhe këtu zemër?– e pyet Albi Nako.
“Për të kërcyer!”- përgjigjet Liana.
“Je e sigurt,”– vijon Nako.
“Po,”- thotë e vogla.
“Çfarë të pëlqen më shumë të ushqehesh apo të kërcesh?”- shton Albi Nako.
Dialogu ka vazhduar e ka qenë vërtetë tallës me një fëmijë të shëndetshëm, që ka marrë kurajën të shkojë në një konkurs baleti.
………………………..
Vajza është ndjerë keq, e vënë si në akuzë se përse ha dhe është e shëndetshme.
Po mirë more Albi, po sikur edhe të hash edhe të kërcesh, nuk bën?
U ndala në këtë rast sepse edhe unë kam një vajzë të vogël, më të vogël se kjo. E shëndetshme edhe ajo. Edhe ajo shkon në një kurs baleti, dhe para se të shkojë në kurs e ka bërë zakon që do të blëje një kos frutash dhe ndonjëherë një çokollatë.
Por unë nuk e dërgoj atje që të bëhet yll. E dërgoj thjeshtë të argëtohet, të shijojë një gjë ndryshe.
Edhe shumë prindër të tjerë mendojnë se fëmijët e tyre nuk do të bëhen yje baleti. Por sërish i dërgojnë për kënaqësi.
Një sjellje e tillë me një fëmijë, është padyshim një mungesë skandaloze takti nga personi që e pyet.
Por, më shumë se kaq, faji është i një tendence po kaq skandaloze, për ti vënë fëmijët në sprovën e “yllit” në art.
Është e pafalshme që në këtë vend, fëmijët joshen të jenë talente vetëm në kërcim apo muzikë. Ata mësohen se në jetë mund të ecësh vetëm nëse di të këndosh e të kërcesh. Sepse në jetë “yll” quhesh vetëm nëse di të kërcesh e të këndosh.
Eshtë e paimagjinueshme që nuk ka asnjë program për fëmijë, që të stimulojë të mësurit. Nuk ka një konkurs për letërsinë, historinë, gjeografinë, diturinë e natyrës…. Të etur për show, mediat prodhojnë vetëm spektakle të tilla, ku vajzat që 8 vjeçe vihen të kërcejnë si striptiste në klubet e natës dhe prindërit që zënë radhën, qajnë sëbashku me fëmijët kur ata nuk fitojnë audicionet.
Jo!
Çfarë po bëni? Si mund ta bësh një fëmijë të ndjehet fajtor vetëm sepse është i shëndetshëm dhe nuk mund të jetë një “yll”, sipas standarit të Albi Nakos?