Një 46 vjeçar nga Mirdita, ka thyer masën e sigurisë së arrestit në shtëpi duke dalë në qytet në kundërshtim me vendimin e gjykatës. Qytetari në momentin që është hasur me forcat e policisë i ka kundërshtuar përmes armës së ftohtë.
Deklarata e Policisë:
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe lëvizte në qytet në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, kundërshtoi dhe kanosi me armë të ftohtë punonjësit e Policisë, vihet në pranga 46-vjeçari nga Mirdita.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në vijim të punës për zbatimin e masave, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID -19, si rezultat i kontrolleve të shtuara, kanë konstatuar duke lëvizur nëpër qytet, Rrëshen, shtetasin L. V., për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për kundërshtim të punonjësit të rendit publik.
Në momentin që punonjësit e Policisë i kanë kërkuar dokumentin e identifikimit, 46-vjeçari ka kundërshtuar urdhrin e tyre dhe i ka kërcënuar me një mjet prerës (thikë) që të mos i afroheshin dhe ka tentuar të largohej, por është neutralizuar dhe prangosur nga shërbimet e Policisë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. V., 46 vjeç, banues në Mirditë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale në ngarkim të tij “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”.