Nata e dytë e audicioneve sapo është mbyllur. Një mbrëmje që prodhoi jo vetëm emocione, ekzaltime, buzëqeshje, por edhe dramacitet, nga 15 konkurentë vetëm 8 prej tyre i bindën katër trajnerët që të shtypin butonin, ndërsa 7 konkurentë do të duhet ta ndërpresin këtu garën.
Një mbrëmje fantastike që pati gjithçka, vlerësime profesionale nga 4 trajnerët, konkurencë e fortë mes tyre, për të marrë zërat më të bukur, të talenteve që ata përzgjodhën, ngazëllime të konkuretëve fitues, por edhe zhgënjime prej atyre që nuk arritën t’i bindin trajnerët, me zërat e tyre, që të ktheheshin.
Alma përzgjodhi në ekipin e saj: ANNA NIKA, MAJLINDA BAJRAMI dhe OLSA BALLGURI
Anna Nika
Anna është një vajzë me origjinë nga Lezha, por ka lindur dhe vijon të jetojë në Greqi. Anna është 19 vjeç dhe studion për farmaci. Ajo vjen në “The Voice” për të hapur një karrierë të re në botën e muzikës. Sipas saj, nëse do të ecë, ajo do të largohet nga Greqia dhe do të vendoset në Shqipëri, për t’u bërë një këngëtare profesioniste.
Olsa Ballguri
Olsa ka një lidhje të hershme me muzikën, duke mos iu ndarë asnjë çast, pavarësisht se studimet i ka kryer për gjuhë të huaj. Ajo është pjesëtare e një grupi muzikor në qytetin e Vlorës, ku i fejuari i saj është kitarist. Një këngëtare me përvojë, por në “The Voice” vjen që t’i japë një formë akoma më profesionale zërit të saj. Është 28 vjeçe dhe vjen nga Vlora.
Majlinda Bajrami
Ka lindur në Zvicër, por jeton në Gjilan dhe është 20 vjeçe. Ndjek Akademinë e Muzikës, në Prishtinë, në profilet piano dhe kanto. Pjesëmarrjen e saj në “The Voice” e shikon jo vetëm si një mundësi për të pasuruar përvojën e saj, në fushën e kantos drejt botës moderne të muzikës, por edhe për t’u bërë e famshme, gjë e cila do ta ndihmojë atë për të çarë më lehtë në tregun muzikor.
Sidriti përzgjodhi në ekipin e tij: GENTI SHEHOLLI dhe GERALDO SPAHIU
Genti Sheholli
Genti nuk ka ndjekur shkollë muzike dhe kryesisht dijet rreth muzikës i ka marrë nëpërmjet kurseve duke studiuar kryesisht për kitarë. Ai e sheh “The Voice” si një nga mundësitë më të mira, për të shpërfaqur talentin e tij si këngëtar në mënyrë që nesër, pse jo, të ndërtojë edhe një karrierë të mirëfilltë muzikore. Është 17 vjeç dhe vjen nga Prishtina, Kosovë.
Geraldo Spahiu
Geraldo është një djalë që përpiqet shumë të jetë sa më i aktivizuar, kryesisht në drejtim të artit të të kënduarit dhe atij skenik. Ai ka marrë pjesë edhe në shfaqe muzikale si “Romeo dhe Zhulieta”, duke luajtur rolin e priftit. Në “The Voice” vjen me qëllimin jo vetëm për t’u ballafaquar seriozisht në sfida të vështira, por edhe për të marrë një gjykim profesional. Është 18 vjeç, nga Tirana.
Elsa përzgjodhi në ekipin e saj: ANDI STAFUKA
Andi Stafuka
Jeta e tij ka rrjedhur mes tingujve të muzikës që në vogëli, ka ndjekur Liceun Artistik për kanto dhe së fundmi në akademinë e arteve, po për kanto, profili tenor. Andi rikthehet në “The Voice” për të dytën herë, por këtë radhë shumë më i përgatitur. Është 19 vjeç dhe ndjek Akademinë e Arteve. “The Voice” sipas tij, është formula më e mirë për të arritur objektivin që i ka vënë vetes.
Genci përzgjodhi në ekipin e tij: MALLËNGJIM BAJRAMI dhe DANIEL COOK
Mallëngjim Bajrami
Mallëngjimi është 18 vjeç dhe ndjek shkollën e muzikës në Gjilan për solo këndim. Mallëngjimi është vëllai më i vogël i një tjetër konkurenteje në “The Voice”, e cila është Majlinda. Duket dhe si një sfidë brenda familjes. Ashtu si dhe e motra Mallëngjimi është pjesë e një tradite muzikore që ka familja e tij.
Daniel Cook
Danieli është 30 vjeç dhe vjen nga Amerika. Ardhja e tij në Tiranë ka ardhur si rezultat i martesës me një vajzë shqiptare, të cilën e ka njohur në një faqe online takimesh. Karriera e tij me muzikën nis që në Miçigan, ku ka kënduar në disa lokale. Në ekranet shqiptare ka qenë i ftuar në Top Channel, në emisionin Top Select, ku ka luajtur muzikë dhe ka kënduar.