Starton sot në mbrëmje në ekranin e “Top Channel” talent show i suksesshëm “The Voice of Albania”. Rikthehet si patentë origjonale e “Talpa Holding Group” në këtë edicion të katërt, i cili sërish premton surpriza origjinale në skenë.
Këtë edicion do të ketë disa ndryshime. Duke filluar nga trajnerët, të cilët nuk do të jenë më katërshja e edicionit të kaluar. Aurela Gaçe dhe Elton Deda nuk do te jenë më në karrigen e antarëve të jurisë të këtij talen show. Zëvendësuesit do të jenë dy emra të tjerë të njohur të muzikës mbarëshqiptare. Bëhet fjalë për një rikthim në atdhe të këngëtares së shquar shqiptare, Elsa Lila, e ngjitur edhe në skenën e teatrit “Ariston” në dy festivale të “Sanremo” në Itali. Përsa i përket antarit të dytë të ri, ai është Genc Salihu, një këngëtar i mbrëmjeve LIVE nga Prishtina. Ndërsa dy antarët e tjerë të jurisë, Alma Bektashi dhe Sidrit Bejleri, ngelen të pandryshuar që nga edicioni i parë i “The Voice of Albania”.
Sërish prezantues i spektaklit do të jetë moderatori i njohur i “Top Media”, Ledion Liço, i cili këtë sezon nuk do të ketë një projekt të dytë në “Top Channel” pasi në sezonin e ri televiziv të “E Diell”, Ledioni nuk do të jetë më bashkë prezantues.
Një risi tjetër e këtij edicioni të “The Voice” është edhe afrimi i dy emrave të tjerë në gjenezën e produksionit. Bëhet fjalë për Zefina Hasanin dhe Shpëtim Saraçin. Edhe skenografia këtë sezon do të jetë e kuruar dhe më ndryshe. Mbrëmjet e audicioneve të fshehura do të transmetohen dy ditë në javë, çdo të premte e të shtunë në prime time, vetëm në ekranin kombëtar të “Top Channel”.
IMA / S. Dema