Ka çelur mbrëmjen e së premtes siparin e tij të gjashtë edicioni i ri i The Voice of Albania në Top Channel. I rikonstrukturuar tërësisht, duke filluar nga trajnerët e rinj por edhe design i logos mbrëmja e parë e The Voice ka dhuruar emocione të pafundme, gëzim por edhe lot trishtimi. Nën drejtimin e Ledion Liços sot ishte nata e parë e audicioneve të fshehura të cilat do të selektojnë më të mirët e skuadrave për të vazhduar më pas në sfidën e betejave.
Por cilit ishin të përzgjedhurit e trajnerëve, dhe kë vendosnin këta të fundit të zgjidhnin? Le ti hedhim një sy!
Alban Skënderaj mori gjithsej 2 konkurentë në skuadrën e tij.
Jona Pepkolaj
Vendbanimi: Tiranë, Shqipëri
Jona është 18 vjeç dhe është studente në Fakultetin e Ekonomisë, ku studion për manaxhim biznesi. Ajo është vajza e vetme, nga tri fëmijë. Familja e mbështet në rrugën që ka zgjedhur. Ka vite që është lidhur ngushtë me muzikën dhe nuk e quan ditën të plotësuar nëse nuk këndon. Ka qënë pjesë e një grupi të quajtur ‘Who gives a funk?’, i cili është shkrirë. Tashmë po performon si soliste në bare të ndryshme të kryeqytetit. Jona është gjithashtu instrumentiste, luan në kitarrë dhe piano. Përveç pjesës muzikore, Jona është një natyrë sportive, e cila nuk ngurron të provojë dhe sportet më ekstreme.
Chiara Tinnirello
Vendbanimi: Palermo, Itali
Chiara është diplomuar për kanto para disa vitesh në Itali, ku arriti të diplomohej falë vullnetit dhe përkushtimit të saj. Ajo është 27 vjeç dhe këndimi vazhdon të mbetet dashuria e saj e parë. Ka besim tek vetja dhe mendon se mund të arrijë majat. Mbështetja më e madhe për të kanë qënë familja dhe i fejuari. Vendosi të marrë pjesë në ‘The Voice of Albania’, pasi mendon se muzika është gjuhë universale. Këndon nëpër mbrëmje live, ceremoni familjare si dhe jep mësime private për kanto. Ka patur mundësinë të punojë me emra të shquar të muzikës si Nicola Piovani, Noa, Daniele Smeraldi etj. Nuk ka një zhaner të preferuar, pasi i pëlqen të performojë çdo këngë.
Besa Kokdhima mori gjithsej 3 konkurentë në skuadrën e saj.
Alesio Zaloshnja
Vendbanimi: Berat, Shqipëri
Alesio është 19 vjeç. Muzika është dashuria e tij e parë. Ndër vite ka marrë pjesë në disa gara muzikore, përfshirë këtu dhe disa në televizion. Sot punon në një studio ku realizon muzikë dhe shpreson që ky, të jetë profesioni që do të ketë në të ardhmen. Ai e sheh ‘The Voice of Albania’ si mundësinë e artë për t’u bërë i famshëm.
Deborah Dollapi
Vendbanimi: Selanik, Greqi
Deborah është 21 vjeç. Familja e saj ka emigruar në Greqi kur ajo ishte vetëm 6 muajshe. Studion në vitin e fundit tek Akademia e Jazz-it në Selanik. Merret me muzikë prej 8 vitesh dhe shpesh herë këndon live në baret e qytetit. Vendosi të vijë në ‘The Voice of Albania’ për t’u bërë e njohur dhe në vendin e origjinës.
Aldo Prendushi
Vendbanimi: Shkodër, Shqipëri
Aldo është 17 vjeç. Ndjek shkollën e muzikës në qytetin e tij dhe studion për trombon. Zgjodhi këtë instrument për të punuar rregullisht me frymën dhe veshin muzikor. Lidhjen më të fortë e ka krijuar me babanë dhe do që ai ta shoqërojë kudo. Aldo ka shumë besim në vetvete dhe është tip ekspresiv. Ai ka marrë pjesë më parë në ‘The Voice Kids’. Këndimi për të është pasioni më i madh që nga fëmijëria.
Rona Nishliu mori gjithsej 4 konkurentë në skuadrën e saj, duke patur numrin më të madh të skuadrës.
Laureta Hasani
Vendbanimi: Ferizaj, Kosovë
Laureta Hasani është 19 vjeç dhe ka ndjekur shkollën e mesme pë muzikë. Ajo ka eksperiencë në fushën e muzikës, por si instrumentiste. Prej tri vitesh ajo i bie pianos dhe e praktikon atë çdo ditë. Laureta është një natyrë krenare dhe nuk pendohet asnjëherë për veprimet që bën. Ka karakter të fortë dhe këtë e shfaq dhe gjatë performancave. Skena e ‘The Voice of Albania’ është e para në të cilën ajo do të ngjitet si këngëtare.
Lis Asllanaj
Vendbanimi: Shkup, Maqedoni
Lisi 18-vjeçar rrjedh nga një familje artistësh. I rritur me një frymë të mirë artistike, ka filluar të mësojë instrumente që në moshën 5-vjeçare. Luan në piano, kitarrë dhe bas. Kjo është hera e parë që Lisi këndon para një publiku. Deri tani, talentin e tij e ka shfaqur vetëm me familjarët. Personi i parë që vuri re që ai këndonte, ishte e ëma. Lisi me mamin ka realizuar dhe covera në YouTube. E gjithë familja janë fansa të zjarrtë të ‘Red Hot Chilli Peppers’.
Albert Osmanollaj
Vendbanimi: Prizren, Kosovë
Alberti 20-vjeçar studion në Akademinë e Arteve në degën e saksofonit. Ai merret me muzikë prej 13 vitesh. Mbështetja më e madhe për të, që në fillim, ka qënë e motra. Alberti thotë se nëse nuk merret me muzikë, ai nuk është i lumtur. Është natyrë që nuk dorëzohet lehtë dhe guxon të bëjë gjërat që i pëlqejnë. Muzikën e ka të trashëguar nga e ëma, e cila është këngëtare.
Liridona Osmani
Vendbanimi: Gjakovë, Kosovë
Liridona është 25 vjeç. Ajo ka studiuar Shkenca Politike në SHBA dhe aktualisht punon në një organizatë joqeveritare. Pasioni i saj për këngën është i trashëguar prej babait, i cili këndonte në mënyrë amatoriale. Liridona ka dhe 3 motra që gjithashtu këndojnë, por asnjëherë nuk i janë dedikuar muzikës profesionalisht. Kjo është përvoja e parë serioze në këndim dhe për të. Liridona ka shumë vullnet dhe besim në vetvete.
Xuxi mori vetëm 1 konkurente natën e parë në skuadrën e tij.
Klea Kasemi
Vendlindja: Tiranë, Shqipëri
Vendbanimi: Tiranë, Shqipëri
Klea nuk është e pamësuar me skenat dhe konkurset. Ajo është 18 vjeç dhe ka marrë pjesë në shfaqje të ndryshme televizive. Disa herë nuk është larguar pa çmime, por Klea nuk mjaftohet me kaq. Muzika është pasioni i saj më i madh. Nga ana tjetër ajo dëshiron të vazhdojë studimet për pediatri, sepse i do shumë fëmijët. Motra e shoqëron kudo dhe për Klean ajo është njëkohësisht dhe shoqja më e ngushtë. ‘The Voice of Albania’ është sfida e rradhës për të!