Ka vetëm pak minuta që është ulur perdja e natës së 4, të Audicioneve të Fshehura, në “The Voice of Albania 5”. Por, ndërsa dritat e skenës janë fikur, emocionet e forta vijojnë të jenë ende të pranishme. Ishte mbrëmja e një show muzikor ku kishte gjithçka, ritëm, spektakël, zëra fantastikë, shumë gëzim, për të gjithë ata që do të vijojnë të jenë ende në garë, por edhe jo pak përlotje për ata që nuk mundën t’ia dalin si Jonida, Ledia, Jurgeni, Denisa, Fiknetja, Sidorela, Desara. Gjithsesi, ëndrra e tyre për muzikën nuk mbaron këtu.
Pas mbrëmjes së katërt, të Audicioneve të Fshehura, situata në ekipet e trajnerëve është bërë mjaft e ndërlikuar. Kanë mbetur shumë pak vende dhe kjo, natyrisht që do ta ashpërsojë betejën e konkurentëve në dy puntatat e fundit, që janë javës që vjen, për t’u bërë pjesë e 4 ekipeve. Në skuadrën e Sidritit kanë mbetur edhe 3 vende për t’u plotësuar. Në mbrëmjen e sotme ai zgjodhi 3 konkurentë, djalin nga Gramshi, Avni Miraka, si dhe dy vajza, shkupjanen Donika Domazeti dhe prishtinasen, Frontina Krasniqi. Në këtë mënyrë, shkon në 11 numri i konkurenteve në ekipin e Sidit.
Avni Miraka
Mosha: 27 vjeç
Vendlindja: Gramsh
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Akademia e Arteve (tenor)
Avniu po kërkon një mundësi të re në jetën e tij dhe këtë e shikon në ‘The Voice’. Ndonëse ka mbaruar për kanto (tenor), deri më sot ai nuk ka mundur të ndërtojë një karrierë si këngëtar solist, as në skenën e Teatrit të Operës dhe as me ndonjë grup muzikor. Aktualisht, ai punon part-time pranë ‘Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore’, duke qenë pjesë e grupeve të polifonisë labe. Punon edhe në Call Center, pasi puna në Ansambël nuk i siguron mjaftueshëm të ardhura. Natyra pak ngurruese ka bërë që ai të mos ketë guximin për të provuar gjëra të reja, të cilat do t’i mundësonin edhe një karrierë të vërtetë muzikore. Vjen në ‘The Voice’ për të testuar veten në skenë duke kënduar solo.
Donika Domazeti
Mosha: 17 vjeç
Vendlindja: Shkup
Vendbanimi: Shkup
Arsimi: Liceu Artistik, Shkup
Donika është një vajzë shumë e apasionuar pas muzikës, jo vetëm për faktin se ajo studion për kanto, por edhe për faktin se ajo punon për t’u bërë një këngëtare profesioniste. Një pasion tjetër i saj është edhe piktura. Ajo vizaton kryesisht peisazhe në teknikën e vajit. Veprat që ajo bën, në të shumtën e rasteve, i dhuron. Në marrëdhëniet e saj me muzikën dallohen dy elementë. Së pari, ajo dëshiron që të bëhet një muzikante profesioniste sa i përket muzikës klasike, si dhe të hedhë hapat e duhur drejt muzikës moderne, në mënyrë që ato të mos interferojnë për të dëmtuar njëra-tjetrën. Kjo është edhe arsyeja, se përse ajo ka vendosur që të vijë në ‘The Voice’, duke ja besuar veten trajnerëve profesionistë të ‘The Voice’. Pasionin e saj për pikturën e ka nga e ëma, e cila edhe ajo pikturon. Ndërsa pasionin për muzikën e ka nga babai, i cili nuk merret me muzikë, por e pëlqen shumë.
Frontina Krasniqi
Mosha: 17 vjeç
Vendlindja: Prishtinë
Vendbanimi: Prishtinë
Arsimi: Shkolla e Mesme e Përgjithshme
Frontina është një vajzë mjaft e tërhequr nga bota e showt. Skena për të është si një magji që e frymëzon. Ajo mendon se ‘The Voice’ do të jetë porta, nga e cila do të fitojë mundësi të reja. Ajo ka mbështetjen e familjes, por sidomos të shoqërisë së saj për të sprovuar fuqinë vokale në ‘The Voice’. Sipas saj, mundësia më e mirë për të shfaqur talentin është ky spektakël, i cili në një farë mënyre ka shërbyer edhe si busull orientimi edhe për këngëtarë të tjerë, që kanë marrë pjesë më parë në këtë spektakël.
Ndërsa, në ekipin e Gencit, kanë mbetur edhe 4 vende. Ai zgjodhi këtë mbrëmje 2 konkurentë: Ledian Huna dhe Erlisa Shena, të dy nga Tirana, duke e çuar në 10 numrin e konkurentëve në ekipin e tij.
Ledian Huna
Mosha: 22 vjeç
Vendlindja: Peshkopi
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Shkolla e Mesme e Përgjithshme
Ledianit i është dashur shumë shpejt të përballet me jetën dhe të sigurojë të ardhura për familjen. Kjo e ka detyruar që të bëjë punë të ndryshme, ku më e fundit është puna si recepsionist në një hotel. Angazhimi në punë, ka bërë që të mos mund të rendë pas aktiviteteve muzikore, por kjo nuk ia ka zbehur pasionin. Në këto momente, ai po përpiqet të sendërtojë një projekt të tijin muzikor si vokalist. Lediani ka marrë pjesë dhe në ‘The Voice 3’, por nuk ka arritur të kalojë fazën e Audicioneve të Fshehura. Ka marrë pjesë dhe në ‘Top Fest’ 11. Ai shprehet se këtë radhë vjen shumë më i përgatitur dhe me më shumë besim tek vetja për të shkuar më larg se faza e Audicioneve të Fshehura. Motra e madhe është shtysa kryesore dhe mbështetësja, që ai të mos heqë dorë nga ambicia që ka për muzikën.
Erlisa Shena
Mosha: 24 vjeç
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Shkolla e Mesme e Përgjithshme
Erlisa ka një natyrë paksa rebele. Ka nisur studimet e larta për frëngjisht, te cilat i ka ndërprerë, ka nisur studimet e larta për sociologji dhe i ka lënë përsëri. Shkak kryesor, siç shprehet ajo, ka qenë karakteri saj konfliktual. Për një kohë të gjatë, Erlisa është endur midis dy pasionesh, të bëhet këngëtare dhe aktore. Por deri më tani s’ka bërë as njërën as tjetrën. Ndaj vjen në ‘The Voice’, që të arrijë të kuptojë brenda vetes se cilin prej këtyre dy pasioneve do të ndjekë. Për momentin synon muzikën. Aktualisht punon në call center.
Ndërsa, Alma, ka qenë më e kursyer në zgjedhjet e saj mbrëmjen e katërt, të Audicioneve të Fshehura. Ajo zgjodhi gjakovarin, Lirian Merturi, duke e çuar në 8 numrin e të përzgjedhurve në ekipin e saj. Alma ka edhe 6 vende bosh, që të plotësojë ekipin.
Lirian Merturi
Mosha: 20 vjeç
Vendlindja: Gjakovë
Vendbanimi: Gjakovë
Arsimi: Studion Muzikë
Për muzikën ka sakrifikuar arkitekturën. Fillimisht, Liriani është regjistruar në shkollë në degën e arkitekturës. Ka studiuar 6 muaj në këtë degë, por pasioni për muzikën bëri që ai të braktisë arkitekturën dhe t’i përkushtohet muzikës. Aktualisht, ai po merr mësime për një edukim të përgjithshëm muzikor. Në mënyrë autodidakte ka mësuar t’i bierë pianos dhe kitarës. Shijet e tij muzikore shkojnë drejt muzikës pop dhe country. Ndonëse ka pasion për muzikën, nuk ka arritur ta demonstrojë atë në skena serioze muzikore apo në baret e qytetit ku jeton. Përpos muzikës, Liriani ka pasion dhe kërcimin si salsa dhe bachata. Për këtë qëllim ai merr dhe mësime private kërcimi. Në ‘The Voice’ kërkon jo vetëm që të marrë emër, por edhe të punojë me zërin e repertorin e zgjedhur.
Ndërsa Jonida, vijon të jetë ende “dorështrënguar”. Me 2 zgjedhjet e sotme, ajo e çon në 6 numrin e konkurentëve që ka në ekip. Ajo shtypi në këtë mbrëmje butonin e kuq për Andi Nikën, nga Tirana dhe Françeska Hoxhën, nga Vlora.
Andi Nika
Mosha: 21 vjeç
Vendlindja: Burrel
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Studion Matematikë
Vazhdon masterin shkencor për matematikë, sepse mësimdhënia është traditë në familjen e tyre. Babai mësues matematike edhe mami mësuese letërsie. Ka dhënë mësim në kolegj për nxënësit e olimpiadave të matematikës. Që i vogël ka marrë pjesë në disa spektakle e talentshoë muzikore dhe në ‘Olimpiadën Ndërkombëtare të Këngës Turke’. Por ka rreth dy vite që nuk merret me muzikë. Ka vendosur që ‘The Voice’ është rruga e duhur që do të shënojë rikthimin e tij. Zërin e ka te trashëguar nga mami. Një tjetër pasion i tij është edhe kërcimi.
Françeska Hoxha
Mosha: 18 vjeç
Vendlindja: Vlorë
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Studion Biologji
Françeska vjen në ‘The Voice’ që t’i japë një drejtim mëdyshjeve të saj, nëse do të merret në të ardhmen me muzikën apo thjesht pasioni për të kënduar nëpër skena nën dritat e bliceve, do të mbetet një ëndërr e bukur. Asaj i pëlqen të bëhet e famshme, ndonëse është e ndërgjegjshme se rruga drejt famës është shumë e vështirë. Për momentin nuk shënohet në CV-në e saj ndonjë aktivitet muzikor ku ajo të ketë marrë pjesë. Gjithsesi, ajo nuk e sheh këtë si disavantazh. Ajo që bie në sy tek ajo është fakti se flet me shumë vlerësim dhe për degën që ajo ka zgjedhur, për studimet e larta që është biologjia sidomos trashëgimia gjenetike.
Konkurentët do të kenë sërish mundësinë e artë javës që vjen, që të vijojnë garën në “The Voice of Albania”. Por numërimi mbrapsht për mbylljen e Audicioneve të Fshehura ka filluar. Konkurentët do të jenë jo vetëm në luftë për t’ia dalë në skenë, por edhe në luftë me kohën. Ndërsa trajnerët, në betejë me njëri-tjetrin, për të mos humbur asnjë zë të mirë. E premtja dhe e shtuna e javës që vjen datë 22 dhe 23 janar do të jenë përcaktuese.
Marre nga website zyrtar i The Voice of Albania