Pak ditë pas rifillimit të xhirimeve, filmi “The Batman”, është pezulluar, përsëri për arsye të koronavirusit.
Pauza në filmime, e konfirmuar nga Warner Bros, është për shkak se aktori kryesor, Robert Pattinson është infektuar me koronavirus, sipas mediave amerikane.
Warner Bros tha se një anëtar i ekipit të prodhimit po vetë-izolohej, por nuk tha se kush prej tyre.
Xhirimet nisën në Glasgow, më herët këtë vit, por ato u ndërprenë për shkak të pandemisë.
Një zëdhënëse e studiove Warner Bros u shpreh:
“Një anëtar i prodhimit të filmit “Batman” ka rezultuar pozitiv për Covid-19 dhe po izolohet në përputhje me protokollet e vendosura. Xhirimet janë ndërprerë përkohësisht.”
Vanity Fair tha se aktori britanik, Pattinson, 34 vjeç, e mori virusin disa ditë pasi rifilluan xhirimet, të cilat rinisën 6 muaj më vonë, që nga ndërprerja e parë.
Filmi “Batman” u mendua të publikohej në qershor të vitit 2021, por tashmë është shtyrë për në tetor 2021.
Në filmin e ri, të drejtuar nga Matt Reeves, ylli i Twilight, Robert Pattinson, ndjek hapat e Christian Bale, Ben Affleck, Michael Keaton dhe George Clooney, në interpretimin e superheroit të qytetit Gotham.
Aktori nuk ka komentuar ende mbi lajmin.
Burimi: BBC