Një model i cili nuk besonte se Covid-19 ekzistonte ka ndërruar jetë pas infektimit. Pasi u infektua me virus gjatë një udhëtimi në Turqi, babai i tre fëmijëve, Dmitriy Stuzhuk nga Ukraina regjistroi një video nga spitali ku tregonte sa po vuante nga Covid-19.
Ish-gruaja e tij, Sofia Stuzhuk, njoftoi pak ditë më vonë se ai kishte vdekur pas ndërlikimeve në zemër dhe vështirësive me frymëmarrjen.
Para se të vdiste, modeli u dërgoi mesazh një milion fansave të tij: “Unë dua t’ju tregoj se si u sëmura dhe t’i paralajmëroj të gjithë. Isha unë që mendova dhe thashë se Covid nuk ekziston. Derisa u sëmura. Covid-19 nuk është sëmundje e lehtë dhe e shkurtër. Është e rëndë. Spitali është i mbushur plot me njerëz, disa prej tyre po trajtohen në korridore.”-tha 33-vjeçari.
Pas tetë ditësh ai doli nga spitali i Kievit dhe shkoi të trajtohej në shtëpi. Por disa orë më vonë atë e çuan sërish në spital në gjendje të rëndë dhe pa ndjenja.
Sofia shkroi pastaj në Instagram: “Dima (Dmitriy) kishte probleme me sistemin kardiovaskular. Zemra e tij nuk e përballoi…”/