Ermal Mamaqi është kritikuar nga ndjekësit e tij pasi në një video të fundit ka predikuar mosleximin e romaneve. Moderatori i njohur ka realizuar një video në Instagram, ku ka dhënë disa këshilla sesi të përmirësojmë veten në këto ditë karantine, dhe një nga këshillat e tij ishte, leximi i librave që kanë vlerë e që lidhen me profesionin.
“Mos lexoni budalliqe, ka ca që lexojnë romane. Nuk kam gjë kundër tyre, po kush lexon më romane tani! Lexoni libra që kanë vlerë e që lidhen me profesionin tënd dhe situatën që po kalon”, u shpreh moderatori.
Kjo deklaratë e tij nuk u prit aspak mirë dhe ai u detyrua të sqarojë edhe një herë opinionin e tij mbi romanet. Nuk e dimë nëse ka ndikuar karantina në këtë opinion të tijin, por sipas Ermalit, romanet i lexojnë vetëm të pasurit që i kanë gjërat në terezi dhe pensionistët.
“Në këtë kohë që po kalojmë romanet i lexojnë pensionistët dhe të pasurit! Sepse i kanë gjërat në terezi nuk është momenti të lexojmë romane tani. Kanë vlerë të jashtëzakonshme, por s’është momenti të lexojmë romane, apo të shohim opera apo balet kalsik, por është momenti të marrësh manualin e përdorimit të vetes dhe të mësosh si përdoret vetja për të shpëtuar”.
Moderatori ka dhënë më tej disa këshilla për të përdorur frikën, për të arritur gjëra të mira në jetë, duke na dhënë idenë se gjithçka tjetër që bëjmë ne përpos atyre që këshillon ai, është tërësisht e gabuar:
“Shpesh herë ne na duhen leva, dhe frika është një super levë. Frika është një ndjenjë që duhet të përdoret dhe në momentin që ia ndryshon drejtimin frikës mund ta përdorësh për mirë. Përdoreni frikën sepse është mjet i mirë për t’ju ngritur peshë”, vijon më tej Ermali.
Por kjo deklaratë e tij nuk është pritur mirë as nga botuesja Arlinda Dudaj e cila i ka kthyer përgjigje në një koment ku i thotë se do të mbahet mend si i vetmi opinionbërës që predikon mosleximin”
“Ermal u futa dhe të pashë videon pasi realisht nuk mund ta besoja se mund ta kishe thënë me të vertetë atë që veshët e mi dëgjojnë nga goja jote. Përtej gjithçkaje që mund të kesh pësuar nga lodhja në karantine, pasiguria në të ardhmen, ate e kemi të gjithë nga i pari tek i fundit deri në cepin më të fundit të botës. Ashtu siç e paraqet ti, duket se njeriu duhet të bëjë një gjë, atë që ti beson, duke përjashtuar gjithçka tjetër.
Le të mos flasim për diskriminimin moshor edhe gjinor që i ke bërë dhe herë të tjera, po s’ka gjë të kemi falur se e kemi quajtur humor, edhe pse i tillë nuk është. Bukuria do e shpëtojë botën, e ka shpëtuar përherë, këtë nuk e vendos depresioni im apo yti në kohë të caktuara. E njeriu dhe kur të shkojë në punë, rrugës për aty, tek do shkojë për bukën e gojës mund të lexojë romane, se ato romane e libra të zhvillojnë si njeri, të bëjnë njeri. Se në fund të fundit për këtë po flasim në kohë si këto të gjejmë njeriun te vetja. Më vjen keq po do mbahesh mend si opinionbërësi i vetëm në historinë e botës që predikon mosleximin”.