Tetë televizione në vend i kanë dërguar një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Autoritetit i Medias Audiovizive dhe misionit të OSBE-së, pas miratimit të ndryshimeve në ligjin për mediat audiovizive dhe në ligjin për partitë politike nga parlamenti që i detyron televizionet të japin reklama pa pagesë për partitë parlamentare dhe jo parlamentare gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit.
Nëpërmjet një deklarate, drejtuesit e mediave bëjnë me dije se referenca e ligjit që mediave për reklamat në fushat ka një kontradiktë të madhe dhe theksohet se Ligji i zbatueshëm për transmetimin e reklamave dhe partive politike në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme, është Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i cili prevalon mbi ligjin e partive politike”.
“Në kushtet kur për të njëjtin shërbim parashikohen dy dispozita dhe kritere të ndryshme, e kemi të pamundur të zbatojmë parashikimet e të dy ligjeve njëkohësisht”, thuhet në deklaratën e televizioneve.
“Pasi u konsultuam me juristët tanë dhe avokatët më të njohur në vend, referuar Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 81 që përcakton hierarkinë dhe procesin ligjvënës, germa C, “Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe Vendore”, është ligji që parashikohet në Kushtetutë dhe renditet në ligjet që miratohen me shumicë të cilësuar prej 3/5 e deputetëve të Kuvendit, ndërsa ligji për Partitë Politike nuk parashikohet në Kushtetutë, pra është ligj i thjeshtë që miratohet edhe me gjysmën e votave plus 1 të deputetëve të pranishëm dhe pas opinionit të tyre ligjor, ne, përfaqësuesit e mediave kryesore, unanimisht vendosëm t’u njoftojmë se: Ligji i zbatueshëm për transmetimin e reklamave dhe partive politike në fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme, 25 qershor 2017, është Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë, i cili prevalon mbi ligjin e partive politike”.