Një 67-vjeçar është arrestuar nga policia pasi ka tentuar të fusë lëndë narkotike në burgun e Durrësit përmes një të njohurit të tij. Arrestimi është kryer të mërkurën, 17 shkurt.
Siç sqarojnë blutë, “shtetasi K. R është paraqitur dje në ambientet e IEVP Durrës për të futur disa produkte ushqimore për djalin e tij, i cili ndodhet në paraburgim në ambientet e IEVP Durrës”.
Gjatë kontrollit në pakon me produkte ushqimore janë gjetur dhe sekuestruar 2 doza me lëndë narkotike heroinë dhe 2 doza me lëndë narkotike canabis sativa.
Sipas policisë, dozat me lëndë narkotike ishin vendosur nga 67-vjeçari M. N., (i njohur i tyre), pa dijeninë e shtetasit K. R.
Policia bëri arrestimin e tij për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.