Dominic Thiem, Alexander Zverev dhe Grigor Dimitrov janë bashkuar me numrin një në botë Novak Xhokoviç, për të shprehur pakënaqësinë e tyre për të luajtur në US Open në kushtet e tanishme, teksa pandemia e koronavirusit është akoma aktive. “Të gjitha këto rrethana janë mjaft të vështira,” tha numri 3 në botë Thiem. “Unë mendoj se disa prej tyre duhet të ndryshojnë që të shkojmë atje,” tha 26-vjeçari austriak. Edhe gjermani Zverev, numri 7 në botë, iu bashkua kësaj nisme. “Do të jetë bukur nëse do të na jepet mundësia për të luajtur, por në këto rrethana unë mendoj se shumë lojtarë nuk do të ndjehen të qetë në mjedisin atje,” tha ai. “Ky është mendimi im. Por nuk u takon lojtarëve të vendosin. Janë organizatorët e turneut US Open ata që duhet të vendosin”.
Ashtu si Xhokoviç, edhe Zverev përmendi karantinën e detyrueshme 14-ditore për lojtarët që vijnë në SH.B.A., strehimin në hotelet e aeroportit afër turneut dhe të mos lejohen të shoqërohen nga më shumë se një anëtar i ekipit. Thiem theksoi se një “Grand Slam kërkon përgatitje të madhe fizike, ndaj secili prej nesh duhet të zgjedhë trajnerin ose fizioterapistin, se cilin prej tyre të marrë me vete”. “Askush nuk e di nëse gjërat do të përmirësohen apo jo, kështu që ne na duhet të presim derisa të vendosin të tjerët” – tha Thiem kur u pyet nëse do të marrë pjesë në turne. US Open është lënë të fillojë më 31 gusht. Edhe Xhokoviç, 3 herë fitues i turneut amerikan, theksoi se organizatorët e Us Open duhet të heqin dorë nga “kushtet e tyre ekstreme” ose lojtarët do të heqin dorë dhe të presin turnetë evropiane. Edhe numri 2 në botë, kampion në fuqi i US Open, Rafael Nadal shprehu të njëjtat pakënaqësi. Për shkak të rregullave të higjienës, prania e mediave do të kontrollohet fort, nuk do të ketë konferenca për shtyp dhe jo publik. Tifozët mund t’i shikojnë ndeshjet vetëm përmes faqes së internetit të UTS për një tarifë prej 10-12 euro, në varësi të vendit ku ndodhen.