Open Data konsideron si të dyshimtë, duke vendosur flamuj të kuq, për 610 procedura tenderimi, që përbëjnë rreth 22.8 % të tenderave të shpallura nga Bashkia e Tiranës. Referuar Open Data, në tenderat e dyshimtë evidentohet mungesa e konkurrencës ose skualifikimi i konkurrentëve duke lënë në garë vetëm fituesit.
Më konkretisht, kur një prokurim shoqërohet me shenjën e flamurit të kuq tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose jo-etike të biznesit.
Referuar analizës së Open Data, në 319 tendera është konstatuar mungesa e konkurencës, në 276 të tjerë evidentohet skualifikimi i kompanive përveç asaj që është shpallur fituese.
Open Data evidenton se në 5 prokurime me vlerë mbi 5 milionë lekë ka pasur mungesë gare dhe negociimi ka qenë i drejtpërdrejtë, raporton Faktor.
Gjithashtu probleme janë konstatuar edhe për anulimin e 10 kontratave me 2 ose më shumë herë.
Tenderat me flamuj të kuq, sipas Open Data, i pvrkasin periudhës 4 vjeçare.
Referuar periudhës janar 2019-mars 2020, evidentohen 224 tendera me probleme.
Bashkia e Tiranës ka zhvilluar numrin më të lartë të tenderëve pas implementimit të reformës territoriale.
Sipas shifrave rezulton se nga rreth 20 mijë tendera të zhvilluar në total nga 61 bashkitë e vendit 2678 prej tyre janë zhvilluar nga Bashkia e Tiranës.