Çmimi i produkteve teknologjike është në rritje të vazhdueshme, edhe pse kostot për prodhimin e tyre ulen vit pas viti. Kjo ndodh pasi kompanitë e fuqishme nuk tregtojnë më vetëm pajisjet që prodhojnë, por në çmim përfshijnë edhe vlerën e markës, reklamën dhe dizajnin.
Por në Kinë ndodh e kundërta dhe mekanizimi i industrisë ka bërë që të ketë superprodhim në kapacitete të mëdha dhe me çmime shumë të lira.
I tillë është shembulli i kompanisë nga Guangzhou, “Souxin Appliances”, e cila aktualisht po tregton televizorë me 8-18 dollarë për njësi, për sa kohë që porosia minimale është 100 copë.
Kjo “ofertë” duket se ka kapur syrin edhe të tregtarëve shqiptarë që importojnë pajisje elektronike, pasi malli është ngjitur menjëherë në listën e produkteve më të nxehta për Shqipërinë në portalin “Alibaba”.
Kompania premton të shesë televizorë cilësorë smart, me përmasa nga 65 deri në 120 inch, të pajisur me internet dhe rezolucion figure Full HD deri në 4K. Këto parametra do të bënin çdo televizor të shiteshin në treg me 30-fishin e çmimit.
Në total janë mbi 19 mijë kërkesa nga blerës të ndryshëm për t’u furnizuar nga kompania kineze, kërkesa të nxitura sigurisht nga çmimi. Megjithatë Souxin arrin të prodhojë vetëm 5 mijë njësi në muaj, çka ka kufizuar kapacitetin e kompanisë për t’iu përgjigjur të gjithë të interesuarve.
Por ky nuk është një rast i izoluar. Çdo ditë rritet numri i prodhuesve në Kinë që tregtojnë telefona cilësorë duke nisur nga 20 dollarë, kompjuterë me 25 dollarë për njësi, e deri tek bokse e pajisje të tjera elektronike me çmime të papërfillshme.
Teksa kjo nënkupton një rritje të sigurt të dominancës tregtare të Kinës ndaj pjesës tjetër të botës, është edhe një lajm i mirë për shtetet me konsumatorë me fuqi të vogël blerëse, ku futen edhe vende si Shqipëria.
A.H./SCAN